Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Burri dyshohet se plagosi gruan dhe vajzën e mitur në Prizren

QIKA 17.10.2025

Në Prizren, një burrë dyshohet se ka plagosur me armë të ftohtë gruan dhe vajzën e tij të mitur.

Lajmi është konfirmuar nga Prokuroria Themelore në Prizren e cila përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 00:20 pas mesnate.

“Policia ka pranuar informatën për një rast të dhunës në familje. Patrulla policore iu është përgjigjur menjëherë thirrjes dhe me të arritur në vendin e ngjarjes, ka hasur një person të gjinisë femërore (bashkëshortja e të pandehurit) e cila ndodhej në rrugë me lëndime trupore dhe gjakderdhje të shkaktuara me mjet të mprehtë thikë”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas njoftimit, viktimës i është ofruar ndihma e parë nga zyrtarët policorë deri në momentin kur ka mbërritur ekipi i emergjencës mjekësore.

“Po ashtu, në katin e fundit të ndërtesës është gjetur edhe viktima e dytë, vajza e mitur. Ajo po ashtu kishte lëndime trupore dhe gjakderdhje. Viktimës së mitur i është ofruar ndihma e parë dhe më pas, bashkë me nënën e saj, janë dërguar për trajtim në Spitalin Rajonal të Prizrenit. Sipas mjekëve, gjendja shëndetësore e të dy viktimave është e rëndë”- thuhet në njoftim.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë njësitet policore dhe forenzike, në koordinim me prokurorin kujdestar nga Departamenti për Krime të Rënda.

“Gjatë intervenimit, në hyrje të banesës është identifikuar dhe arrestuar i pandehuri i cili është shoqëruar në stacionin policor për procedura të mëtejme”- thekson prokuroria.

Ndaj të dyshuarit është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh.

“Prokurori kujdestar ka lëshuar aktvendim për ndalimin e të pandehurit në kohëzgjatje prej 48 orëve, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale ‘Vrasja e rëndë në tentativë’ dhe ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, thuhet në komunikatë.