Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Çfarë do të thotë të jesh grua në Gaza sot?

QIKA 29.9.2025

Më 22 gusht 2025, në Gaza u shpall zyrtarisht kriza e urisë nga Analiza e Klasifikimit të Fazave të Sigurisë Ushqimore (IPC) – hera e parë që një gjë e tillë ndodh në rajonin e Lindjes së Mesme.

Nënat nuk kanë mundësi të ushqejnë foshnjat e tyre, vajzat flenë të uritura, familjet po varrosin fëmijë që po vdesin nga uria, e madje edhe punonjësit e ndihmës humanitare po mbesin pa ushqim, raporton UN Women.

Pothuajse një çerek milioni gra dhe vajza në Gaza po vuajnë nga uria dhe shumë prej tyre edhe vdesin. Më shumë se gjysmë milioni të tjera po përballen me uri ekstreme dhe kequshqyerje akute.

Gratë janë pa ushqim, pa ujë, dhe pa asnjë mënyrë për të menaxhuar higjienën menstruale. Meqenëse pecetat higjienike janë kryesisht të paarritshme ose financiarisht të papërballueshme, gati 700,000 gra dhe vajza në moshë riprodhuese përballen me vështirësi të mëdha për të menaxhuar menstruacionet, shpesh në kushte të pasigurta.

Për më tepër, jetëgjatësia është shkurtuar me 30 vite. Shtëpitë, shkollat, xhamitë, spitalet, madje edhe strehimoret e OKB-së janë sulmuar. Që nga tetori i vitit 2023, më shumë se 28,000 gra dhe vajza janë vrarë dhe 78,518 janë plagosur.

Megjithatë, më shumë se 58,600 ekonomi familjare në Gaza tani udhëhiqen nga gratë. Ato gatuajnë ushqime kolektive me mbetje, kujdesen për të sëmurët dhe të moshuarit, u japin mësim fëmijëve në tenda dhe ofrojnë ndihmën e parë.

Pavarësisht përballjes me bombardime të pafundme, uri dhe dhimbje, gratë janë linja e fundit e mbrojtjes për mbijetesë në Gaza. “Vazhdoj t’ua them fëmijëve të mi se Zoti nuk do të na braktisë,” thotë Niveen, një grua palestineze. “Por jeta është bërë aq e varfër. Unë vetëm po përpiqem të mbijetoj”.