Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Cilat janë perceptimet e të rinjve në Kosovë për çështjet gjinore?

QIKA 22.11.2024

Fondacioni Friedrich Ebert në Kosovë ka publikuar raportin “Studimi për rininë 2024”, i cili ka për qëllim t’i shtjellojë qëndrimet kryesore të rinisë së Kosovës në lidhje me normat dhe vlerat sociale, arsimin, punësimin, lëvizjet dhe politikën. Sipas këtij studimi, të rinjtë në Kosovë vazhdojnë të jenë mjaft tradicionalë dhe paraqesin qëndrime problematike ndaj grupeve të caktuara shoqërore, si gratë dhe personat LGBTIQ+.

Nisur nga faktorët që ndikojnë në përzgjedhjen e partnerit 44% e të rinjve të anketuar ende besojnë se virgjëria është shumë e rëndësishme dhe 12% mendojnë se kryesisht është e rëndësishme. 80% besojnë se miratimi i familjes në përzgjedhjen e partnerit është shumë i rëndësishëm dhe 78% besojnë se ka rëndësi prejardhja kombëtare.

Në shkallë vlerësimi 1-10, vlerësuar në shkallën 1 të ‘arsyeshmërisë’, gjysma e të rinjve nuk e arsyetojnë asnjëherë abortin (47.5%) dhe homoseksualitetin (58.7%).

Raporti thekson se gratë e reja në Kosovë përballen me sfida të veçanta në fushën e punësimit dhe arsimit. Stereotipet vazhdojnë të ndikojnë në zgjedhjet arsimore të vajzave, duke ndikuar që ato të orientohen në fusha tradicionalisht të dominuara nga gratë, ani pse kërkesat e tregut janë në sektorë të dominuar nga burrat. “Në Kosovë, vajzat kanë prirje të orientohen (mbi 90%) në programet e edukimit, shkencave natyrore, shkencave sociale, mjekësisë, komunikimit dhe gjuhësisë. Nuk është për t’u habitur se 74,9% e studentëve të regjistruar për herë të parë në nivelin Bachelor në fushën e shëndetësisë dhe mirëqenies janë gra”, thuhet në raport.

Sa i përket perceptimeve lidhur me të drejtat e grave ekziston një hendek gjinor, ku 48,6% e grave mendojnë se gratë nuk kanë të drejta të mjaftueshme në krahasim me 25,2% të burrave.

Dallimet gjinore janë më të dukshme në diskriminimin e bazuar në gjini. “Gratë e anketuara kanë raportuar shkallë më të lartë të diskriminimit gjinor”, shkruan FES.

Raporti adreson gjithashtu qëndrime problematike të të rinjve ndaj komunitetit LGBTIQ+. Shumica e të rinjve nuk do të jetonin në të njëjtën lagje me personat LGBTIQ+. Më shumë se një e treta e të anketuarve mendojnë se pjesëtarët e komuniteteve LGBTIQ+ kanë shumë të drejta ose kanë të drejta të mjaftueshme, dhe 14.6% nuk pajtohen që çiftet e të njëjtit seks janë prindër të mirë, ndërsa 64.4% nuk pajtohen që çiftet e të njëjtit seks duhet të kenë të drejtën e martesës.

Sfidat kryesore që të rinjtë i shohin për dekadën e ardhshme janë papunësia, korrupsioni dhe emigrimi, ndërsa shfaqin mungesë interesimi për politikën e brendshme, nivele të ulëta angazhimi dhe mosbesim të ndjeshëm në institucionet politike.

Raportin e plotë e gjeni këtu.