Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Çka është taksa rozë dhe si i rëndon ajo gratë ekonomikisht?

QIKA 15.7.2022

Në përditshmëri burrat dhe gratë shpesh blejnë produkte të ngjashme. Por hulumtimet tregojnë se produktet e konsumit të synuara dhe të reklamuara për gratë ndonjëherë janë më të shtrenjta se produktet e burrave. Kjo pabarazi quhet taksë rozë.

Pabarazitë e çmimeve me bazë gjinore janë të përhapura në disa sektorë, por një nga më të dukshmet janë produktet e kujdesit personal. Këto përfshijnë sapunë, losione, brisqe dhe deodorantë që tregtohen posaçërisht për gratë ose burrat.

Një studim qeveritar në SHBA analizoi 800 produkte specifike gjinore nga afro 100 marka. Raporti zbuloi se, mesatarisht, produktet e kujdesit personal të synuara për gratë ishin 13% më të shtrenjta se produktet e ngjashme për burra. Aksesorët dhe veshjet për të rritur ishin përkatësisht 7% dhe 8% më të shtrenjta. Studimi arriti në përfundimin se gratë paguajnë mijëra dollarë më shumë gjatë jetës së tyre për blerjen e produkte të ngjashme me ato të burrave. Një studim tjetër në SHBA zbuloi se çmimet e pastrimit kimik për këmisha të veshjeve të grave ishin mbi 90% më të shtrenjta krahasuar me ato të burrave. Ndërkohë, një analizë në Mbretërinë e Bashkuar zbuloi se deodoranti i grave ishte mesatarisht 8.9% më i shtrenjtë se ai i burrave, ndërsa hidratuesi i fytyrës për gratë ishte 34.28% më i shtrenjtë, raporton World Economic Forum.

Taksa rozë ka imponuar prej kohësh një barrë ekonomike për gratë në mbarë botën, veçanërisht pasi gratë vazhdojnë të fitojnë më pak se burrat. Raporti Global i Hendekut Gjinor i Forumit Ekonomik Botëror 2022, i publikuar këtë javë, zbuloi se kur bëhet fjalë për barazinë e pagave për punë të ngjashme, vetëm pesë nga 146 vendet e analizuara arritën rezultate më të larta se 0.80. (Një rezultat prej 1.0 do të thotë barazi e plotë e pagave). Për më tepër, 129 vende këtë vit raportuan një reduktim të pjesëmarrjes së grave në fuqinë punëtore në krahasim me atë të burrave. Sipas të dhënave të raportit, hendeku gjinor i pagave është një nga faktorët më të spikatur që kontribuon në pabarazinë e përgjithshme të pasurisë me bazë gjinore.

Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve në mbarë botën që të ndërmarrin hapa për të eliminuar taksën rozë për të siguruar që gratë të arrijnë pjesëmarrje të plotë dhe të barabartë në ekonomi. Në SHBA, legjislacioni federal i propozuar i quajtur Akti i Shfuqizimit të Taksës Rozë ka mbetur për tu shqyrtuar në Kongres.

Si pjesë e të kuptuarit të taksës rozë, studiuesit dhe politikë-bërësit shqyrtojnë gjithashtu kostot e imponuara të produkteve të nevojshme për gratë që nuk janë të nevojshme për burrat, siç janë tamponët. Disa vende, duke përfshirë Australinë, Kanadanë, Indinë dhe Ruandën kanë eliminuar taksat mbi tamponët dhe produktet e tjera femërore.