Dy gazetaret, Niloofar Hamedi dhe Elaheh Mohammadi, të cilat u dënuan pasi raportuar mbi vdekjen e Mahsa Amini-t, janë liruar nga akuzat për bashkëpunim me qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës por do të vazhdojnë të kalojnë deri në pesë vjet të tjera në burg, kanë njoftuar autoritetet iraniane.
Gazetaret u arrestuan në vitin 2022 pasi raportuan për vdekjen dhe funeralin e Amini, gruas kurde që vdiq në paraburgimin policor po atë vit, duke nxitur protestat mbarëkombëtare “Grua, Jetë, Liri”.
Hamedi dhe Mohammadi u akuzuan fillimisht për “bashkëpunim dhe grumbullim kundër sigurisë kombëtare” dhe “veprimtari propagandistike kundër regjimit” dhe u dënuan me përkatësisht 13 dhe 12 vjet. Në janar ato u liruan nga burgu pas 17 muajsh në paraburgim dhe dënimet e tyre tani janë ulur në pesë vjet secila pasi një gjykatë i liroi ata nga akuzat e tjera për “bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara”, raporton The Guardian
Të dielën, zëdhënësi i drejtësisë iraniane, Asghar Jahangir, tha se dënimet me pesë vjet burg tani do të shqiptohen, por nuk tregoi se kur, dhe kjo do të thotë se gazetaret do të duhet të presin për të parë se kur autoritetet do të zbatojnë vendimin e gjykatës.
Familjet dhe avokatët që përfaqësonin dy gratë thanë se kishin shpresuar që ato të faleshin dhe të liroheshin, pasi media shtetërore raportoi vitin e kaluar se Ayatollah Ali Khamenei do të falte “dhjetëra mijëra” të burgosur, përfshirë ata të arrestuar gjatë protestave “Grua, Jetë, Liri”.
Një gazetar me bazë në Teheran tha në kushte anonimiteti: “Ne të gjithë kishim shpresuar që Niloofar dhe Elaheh të falen së shpejti dhe jemi të tronditur nga njoftimi. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas ose kur, dhe ku do të dërgohen. Ata po i torturojnë psikologjikisht ato dhe familjet e tyre.”
Aktivistët për të drejta të njeriut thanë se dy vjet më vonë, regjimi vazhdon të ndëshkojë ata që morën pjesë në protestat që pasuan vdekjen e Amini. Sipas Human Rights Watch, të afërm të njerëzve të vrarë, të ekzekutuar ose të burgosur gjatë protestave janë arrestuar, kërcënuar dhe ngacmuar vazhdimisht nga regjimi.