Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dënohet përsëri me një vit shtesë burg aktivistja Narges Mohammadi

QIKA 25.6.2024

Përmes një komunikate në X, avokati i Narges Mohammadi-t, Mostafa Nili ka bërë të ditur se një degë e Gjykatës Revolucionare të Teheranit për “përhapjen e propagandës kundër sistemit”, ka dënuar me një vit shtesë burgim laureaten e çmimit Nobel.

Ai tha se argumentet e përdorura nga gjykata përfshinin komentet e saj mbi rastin e Dina Qalibaf, një studente që dyshohej se ishte torturuar dhe sulmuar seksualisht nga forcat e sigurisë, thirrja e saj për të bojkotuar zgjedhjet e marsit dhe letra e saj drejtuar deputetëve suedezë dhe norvegjezë.

Mohammadi muajin e kaluar përmes një letre nga burgu Evin pati njoftuar se do të përballet me një gjyq të ri dhe pati kërkuar që gjyqi i saj të jetë publik ashtu që dëshmitaret dhe të mbijetuarat e sulmeve seksuale të kryera nga regjimi i Republikës Islamike të mund të dëshmonin lirshëm. Meqë gjykata nuk kishte pranuar kërkesën e saj, ajo kishte refuzuar të merrte pjesë në gjyq duke e denoncuar atë si të padrejtë dhe të rremë, raporton BBC News.

Familja e Narges Mohammadi tha në një deklaratë se gjatë tre viteve të fundit ajo i është nënshtruar gjashtë gjyqeve dhe është dënuar katër herë. Kjo kishte rezultuar në një “dënim kumulativ prej 13 vjet e tre muaj burg, 154 kamxhik, internim dhe katër muaj pastrim rrugësh”, shtuan ata.