Dhuna me bazë gjinore përkeqësohet kur ndërthuret me homofobinë dhe transfobinë, dhe kjo formë e dhunës nuk adresohet nga kornizat ligjore dhe protokollet institucionale, sipas analizës për dhunën me bazë gjinore ndaj komuniteteve LGBTIQ+ në Kosovë për periudhën 2023-2024, të publikuar nga Qendra për Barazi dhe Liri (CEL).
“Nën Spektrin e Padukshmërisë”, synon të dekonstruktojë format përmes së cilave dhuna me bazë gjinore ndaj individëve LGBTIQ+ në Kosovë fshihet ose neglizhohet në mënyrë sistematike.
“Dhuna ndaj individëve LGBTIQ+ nuk regjistrohet zyrtarisht, duke e bërë të pamundur ndjekjen e trendeve, alokimin e burimeve apo zhvillimin e ndërhyrjeve të synuara për të adresuar këtë formë specifike të dhunës”, thuhet në raport.
Policia e Kosovës në Prishtinë raporton deri në 5 raste ndaj komunitetit LGBTIQ në periudhën 2023-2024, që përfshijnë dhunë emocionale, fizike dhe krime urrejtjeje, por pa specifika dhe klasifikime të detajuara të rasteve dhe trajtimit të tyre
Sfidë tjetër për personat LGBTIQ+ në Kosovë mbetet mungesa e qasjes në sistemin e mirëqenies sociale, përfshirë strehimoret për viktimat e dhunës në familje, nga ku individët LGBTIQ+ përjashtohen sistematikisht.
Sipas raportit, Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF) në Prishtinë dhe Qendra për Sigurinë e Grave dhe Fëmijëve (QSGF) në Prizren raportojnë se në mungesë të strehimoreve të posaçme, individët LGBTIQ+ që kërkojnë strehim nga dhuna në familje shpesh vendosen në strehimoret e grave, të cilat nuk kanë as trajnimin dhe as protokollet e nevojshme për të akomoduar personat që nuk përputhen me normat gjinore binare, prandaj dhe janë të papërgatitura potencialisht për nevojat e grave LBT dhe kryesisht individëve transgjinorë.
Analiza po ashtu thekson rolin e organizatave të shoqërisë civile në mbushjen e boshllëqeve që lë mungesa e mbështetjes shtetërore në ofrimin e shërbimeve për individët LGBTIQ+ që përballen me dhunë me bazë gjinore. Organizata si CSGD, CEL Kosova dhe RrGK kanë mbushur këto boshllëqe të shtetit duke ofruar ndihmë ligjore, strehim emergjent, këshillim psikologjik dhe avokim.
Raporti rekomandon përkufizimin dhe dënimin e krimeve të urrejtjes, zgjerimin e Ligjit për Mbrojtje nga Dhuna me Bazë Gjinore, krijimin e strehimoreve dhe shërbimeve gjithëpërfshirëse, dhe përmirësimin e mbledhjes dhe monitorimit të të dhënave.
Analizën e plotë e gjeni këtu .