Një në tre gra në Bashkimin Evropian ka përjetuar ndonjë formë të dhunës me bazë gjinore gjatë jetës dhe rreth 50 milionë gra në mbarë BE-në ende përjetojnë nivele të larta të dhunës seksuale dhe fizike në shtëpi, në punë dhe në hapësira publike, sipas një sondazhi të publikuar nga Agjencia për të Drejtat Themelore (FRA), Instituti Evropian për Barazi Gjinore (EIGE) dhe Eurostat.
Mes viteve 2014 dhe 2024, përqindja e grave të moshës 18-74 vjeç që kanë përjetuar ndonjë formë të dhunës me bazë gjinore ka ndryshuar shumë pak, me një rënie prej më pak se një pikë në përqindje për dhjetë vite (nga 31.4% në 30.7%).
Ndonëse numri i grave që raportojnë incidente të dhunës është rritur gjatë dekadës së fundit, sipas anketës 1 në 8 viktima raportojnë raste të dhunës me bazë gjinore, gjë që dëshmon se statistikat jo gjithmonë pasqyrojnë gjendjen reale.
Pothuajse 64% e grave të anketuara thanë se ato kanë folur me një mik/e, anëtar/e të familjes ose të afërm për incidentin, ndërsa 1 në 5 gra shkuan në një institucion shëndetësor ose social dhe vetëm 13.9% kanë raportuar incidentin në polici.
“Në BE edhe në 2024, siguria e grave ende nuk po mund të garantohet,” tha drejtorja e FRA Sirpa Rautio gjatë prezantimit të sondazhit, duke shtuar se realiteti i trashtë i grave është se asgjë nuk ka ndryshuar vërtet në dhjetë vitet e fundit.
Rautio i konsideroi përmasat e mëdha të dhunës ndaj grave dhe shkallën e ultë të raportimeve si një epidemi të padukshme të dhunës në Evropë.
Megjithatë, situata ndryshon në të gjithë BE-në, ku Finlanda, Suedia, Hungaria, Danimarka dhe Luksemburgu kanë numrin më të lartë të grave që kanë përjetuar dhunë seksuale dhe fizike gjatë jetës së tyre. Sipas Eurostat, kjo ndodh sepse në vendet nordike diskutimi i hapur për dhunën është më pak i stigmatizuar andaj edhe gratë gjejnë guximin të raportojnë rastet.
Shifrat për ngacmimet seksuale në punë dhe në shtëpi po ashtu nuk kanë ndryshuar – me një tendencë veçanërisht shqetësuese tek gratë e reja të moshës 18-29 vjeç.
41.6% e grave të reja në të gjithë BE-në kanë përjetuar ngacmime seksuale në punë dhe pothuajse 13% kanë përjetuar dhunë seksuale (përfshirë përdhunimin) nga dikush tjetër përveç partnerit të tyre intim që nga mosha 15 vjeçare.
Viteve të fundit janë bërë disa përpjekje për të luftuar dhunën me bazë gjinore dhe për të arritur barazinë gjinore në nivel të BE-së, por zbatimi i nismave ka çaluar. “Zbatimi kërkon burime dhe shpesh dështon këtu,” thotë Rautio, teksa numëroi sfida si financimin e pamjaftueshëm për strehimoret, shërbimet, monitorimin ose mbledhjen e të dhënave.
Në fillim të këtij viti, BE ka miratuar një direktivë për të luftuar dhunën ndaj grave dhe dhunën në familje, të cilën shtetet anëtare detyrohen ta zbatojnë deri në vitin 2027. Megjithatë, në këtë direktivë shtetet kanë dështuar që të përcaktojnë përdhunimin si seks pa pëlqim dhe për ta kriminalizuar atë në mbarë BE-në, për shkak se nuk kanë arritur një konsensus.
“Dhuna ndaj grave është një situatë krize,” tha Carlien Scheele, drejtore e EIGE, duke theksuar nevojën që kësaj krize ti përgjigjet me të njëjtën urgjencë si krizave të tjera. “Duam që gratë dhe
vajzat të ndihen të sigurta, pavarësisht se a janë në shtëpi, në punë, jashtë me miqtë apo duke marrë autobusin nëpër qytet”, shtoi Scheele.