Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dhuna ndaj grave në Brazil arrin nivelet më të larta të regjistruara ndonjëherë

QIKA 22.8.2024

Brazili, për të dytin vit me radhë, ka regjistruar nivel të paprecedentë të rasteve të dhunimit seksual  dhe formave të tjera të dhunës me bazë gjinore. Sipas Forumit Brazilian për Siguri Publike, çdo tregues i dhunës me bazë gjinore u rrit në vitin 2023 krahasuar me një vit më herët, duke përfshirë vrasjet (0.8%), ngacmimet seksuale (48.7%) dhe përndjekjet (34.5%).

Të dhënat e publikuara në raportin vjetor të Forumit, dëshmuan se rastet e raportuara të dhunimeve seksuale u rritën me 6.5% nga një vit më parë, në një nivel të ri historik prej 83,988 raste – ose 1 rast për çdo 6 minuta.

“Që nga viti 2021, shifrat për dhunën ndaj grave janë rritur me një ritëm të përshpejtuar dhe janë shumë më të larta se në periudhën para pandemisë. Brazili ka qenë gjithmonë një vend shumë i dhunshëm por duket se pandemia ndryshoi diçka. Tensionet që u ngritën në mjedisin familjar potencialisht i përkeqësuan të gjitha këto forma të dhunës,” tha Samira Bueno, drejtore ekzekutive e Forumit Brazilian për Sigurinë Publike.

Shumë shtete nuk regjistrojnë detaje të prejardhjes racore të viktimave të dhunimit, por të dhënat ku ishin të disponueshme sugjerojnë se të paktën 52% e tyre ishin njerëz me ngjyrë.

Fëmijët vazhduan të ishin të mbipërfaqësuar në mënyrë drastike mes të mbijetuarve të përdhunimit, me 61.6% të moshës 13 vjeç e lart – shumica e të cilëve u dhunuan nga anëtarët e familjes ose persona të njohur (84.7%).

Ekspertët theksuan edhe përpjekjen e së djathtës për të penalizuar ligjërisht viktimat e dhunimit që kryejnë abort, përmes një projektligji i cili aktualisht po trajtohet në dhomën e ultë të Parlamentit. Aktivistët, projektligjin i cili do të përcaktoj dënime me burg deri në 20 vjet për abortin, edhe në rastet e përdhunimit – i barabartë me dënimin për vrasje, e shohin si  viktimizim të mëtejshëm. Sipas legjislacionit aktual aborti është i jashtëligjshëm në Brazil, por ka përjashtim në rastet e dhunimit seksual.

Rritje alarmante prej 34% apo rreth 77,000 raste ka pasur edhe përndjekja, e cila u kriminalizua në Brazil vetëm në vitin 2023. “Këto të dhëna janë shumë të rëndësishme meqë shpesh përndjekja i paraprin formave të tjera të dhunës – siç është vrasja”, tha Bueno.