Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dhuna seksuale ndaj grave është pjesë e procedurave operative të forcave izraelite në Gaza

QIKA 21.6.2024

Një raport i ri i realizuar nga një komision i pavarur i mbështetur nga Kombet e Bashkuara, ka gjetur se përdorimi i qëllimshëm i armëve të rënda nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës ka qenë një “sulm i qëllimshëm dhe i drejtpërdrejtë ndaj popullatës civile”.

Navi Pillay, kryetare e Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Hetimit për Territorin Palestinez të Pushtuar, tha të mërkurën se Izraeli ka kryer krime kundër njerëzimit, duke përdorur urinë e detyruar si mjet lufte, shfarosjen, vrasjen dhe trajtimin çnjerëzor dhe mizor të palestinezëve. Ajo akuzoi gjithashtu grupet palestineze për krime lufte.

Pillay tha se komisioni arriti në përfundimin se forma specifike të dhunës seksuale dhe me bazë gjinore përbënin pjesë të procedurave operative të forcave izraelite.

“Ne zbuluam se forcat izraelite kryen dhunë seksuale dhe me bazë gjinore me qëllim për të poshtëruar dhe nënshtruar më tej komunitetin palestinez. Gratë palestineze ishin në shënjestër dhe iu nënshtruan dhunës seksuale dhe ngacmimeve si në internet edhe personalisht”.

Teksa prezantoi raportin në Këshillin e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Pillay tha se ushtria izraelite që vepron në Gaza “transferoi me forcë pothuajse të gjithë popullsinë në një vend të vogël që është i pasigurt dhe i pabanueshëm” dhe përdori armë të rënda në zona me popullsi të dendur me qëllimin e vetëm – sulm të drejtpërdrejtë ndaj popullatës civile.

“Edhe pse zyrtarët izraelitë kanë deklaruar vazhdimisht se operacionet e tyre në Gaza synojnë të shkatërrojnë Hamasin dhe të lirojnë pengjet, megjithatë asnjë nga këto synime nuk është arritur kryesisht në kurriz të mijëra jetëve”, tha ajo.