Dhjetëra mijëra gra nga Tigray janë bërë viktima të formave më ekstreme të dhunës seksuale, të kryera nga forcat etiopiane dhe eritreane. Këto sulme janë kryer me qëllim të qartë: dëmtimin e organeve të tyre riprodhuese.
Lufta mes Etiopisë dhe Tigray filloi në vitin 2020, dhe shpejtë u kthye në një nga konfliktet më të vrazhda të këtij shekulli.
Armëpushimi u nënshkrua në vitin 2022, kurse një sondazh i rastësishëm i kryer nga BMJ zbuloi se rreth 10% e grave në Tigray ishin viktima të dhunës seksuale. Rreth 70% e tyre ishin përdhunuar në grup.
Dosjet mjekësore dhe radiografitë e siguruara nga The Guardian dhe të shqyrtuara nga specialistë të pavarur mjekësorë tregojnë raste ku grave u janë futur objekte në organet e tyre riprodhuese, përfshirë gozhda, vida, mbeturina plastike, rërë, zhavorr dhe letra.
Për dy vite me radhë, Tseneat, një vajzë tigrayane, mbajti brenda vetes 8 vida të ndryshkura, një palë gërshëre të thonjve, dhe një letër të shkruar me stilolaps dhe e mbështjellur me plastikë.
“Bijtë e Eritresë, jemi trima”, thuhet në letër. “Jemi zotuar për këtë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë. Do t’i bëjmë gratë tigrayane të pafrytshme”.
Këto objekte, të zbuluara përmes radiografisë dhe të nxjerra kirurgjikisht nga mjekët më shumë se dy vjet më vonë, ishin futur me forcë në trupin e Tseneatit ndërsa ajo ishte pa ndjenja, pasi ishte përdhunuar nga gjashtë ushtarë.
Për të mbijetuarat, përdhunimi mbetet një stigmë shumë e madhe, dhe gratë shmangin kërkimin e kujdesit mjekësor. Atyre iu është thënë nga ushtarët se do të vriteshin nëse kërkonin ndihmë.
“Forcat pushtuese gjatë asaj periudhe kërcënonin çdo punonjës shëndetësor që ndihmonte mbijetuese dhe në çdo mënyrë konsiderohej tradhtar”, thotë Dr. Abraha Gebreegziabher.
Edhe pse lufta zyrtarisht ka përfunduar, dhuna në Tigray vazhdon. Hulumtimet pas armëpushimit tregojnë se dhuna seksuale nga forcat e sigurisë ka vijuar pa ndalim. Sipas Zyrës së komisionerit të lartë të OKB-së për të drejtat e njeriut (OHCHR), ushtarët eritreanë vazhdojnë të zënë pjesë të konsiderueshme të Tigray-t, veçanërisht në rajonet lindore, ku po kryejnë shkelje, përfshirë rrëmbime, përdhunime, plaçkitje prone dhe arrestime arbitrare.
Pothuajse 90% e grave që përjetuan dhunë seksuale gjatë luftës në Tigray nuk kanë marrë asnjë formë të ndihmës mjekësore apo psikologjike, përderisa rreth gjysma e tyre e kanë përmendur mungesën e institucioneve shëndetësore si arsye.
Sipas të drejtës ndërkombëtare, shkatërrimi i organeve riprodhuese ose pengimi i lindjeve me qëllim shkatërrimin e tërësishëm ose të pjesshëm të një grupi etnik përbën gjenocid.