Gjatë marshit të Ditës Ndërkombëtare të Gruas protestuesit kundërshtuan Presidentin e Meksikës, Lopez Obrador, i cili ka mbështetur një politikan të akuzuar për sulm seksual.
Protestuesit u përplasën me barrikadën e policisë e cila rrethonte Pallatin Kombëtar të Meksikës. Kjo përplasje u përcoll me përdorim të gazit lotsjellës nga ana e policisë kundrejt protestuesve. Gjatë përplasjes u plagosen 62 policë e 19 civil, tha Marcela Figueroa, zyrtare e policisë. Nga ana tjetër Qeveria e Meksikës kategorikisht mohoi përdorimin e çfarëdo gazi në protestë, raporton The Guardian.
Të paktën 939 gra ishin viktima të femicidit në Meksikë gjatë vitit të kaluar. “Ku ishit kur po më përdhunonin”, u dëgjua zëri i një gruaje në protestë duke i bërtitur policisë që ishin rreshtuar para Pallatit Kombëtar.
Presidenti Obrador edhe më herët ka pasur raport të acaruar me lëvizjen feministe duke i akuzuar se janë të manipuluar nga kundërshtarët e tij konservatorë dhe të ndikuar nga idetë e huaja. “Ne duam që ai të na mbroj në të njëjtën mënyrë që po mbron këto ndërtesa” tha një protestuese, Vania Palacios, teksa në dorë po mbante parullën “Lufo sot që të mos vdesësh nesër”.
Disa nga parullat tjera që shiheshin atë ditë ishin “Legalizoni abortin tani” dhe “Një përdhunues nuk do të bëhet burrështetas”. Kjo e fundit i referohej Salgado Macedonio i cili është i akuzuar për ngacmim seksual.