Pesë gra të cilat u arrestuan për shkak të protestave që kishin bërë kundër grusht shtetit ushtarak në fillim të këtij viti në Mayanmar, kanë pohuar se janë abuzuar dhe torturuar në sistemin e paraburgimit.
Që kur ushtria e Mayanmar mori pushtetin në shkurt, protestat kanë përfshirë të gjithë vendin dhe gratë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në lëvizjen e rezistencës. Grupet e të drejtave të njeriut kanë pohuar se megjithëse ushtria e vendit më parë kishte përdorur taktika të zhdukjeve, marrjes peng dhe torturës, tani dhuna është përhapur tej mase.
Sipas të dhënave nga Asistenca për të Burgosurit Politikë (AAPP), që nga 8 dhjetori janë vrarë 1,318 civilë gjatë goditjeve ushtarake, prej të cilëve 93 ishin gra. Tetë gra vdiqën derisa ishin në paraburgim, katër prej të cilave u torturuan deri në vdekje në qendrën ku u morën në pyetje. Më shumë se 10,200 njerëz janë arrestuar në total, duke përfshirë mbi 2,000 gra, raporton BBC.
Ein Soe May, aktiviste e demokracisë, u burgos për gati gjashtë muaj, me ç’rast ishte sulmuar dhe torturuar seksualisht. Ajo tregoi se një hetues e kishte kërcënuar duke i thënë se këtu gratë i përdhunojmë dhe i vrasim dhe kështu ajo u sulmua seksualisht përderisa sytë i kishte të lidhur.
Sipas Manny Maung, hulumtuese në Human Rights Watch, qendrat e marrjes në pyetje mund të jenë vende të improvizuara, dhoma të kazermave ushtarake apo edhe ndërtesa publike të braktisura. Gjatë periudhës së marrjes në pyetje të burgosurat kanë pohuar se janë sulmuar seksualisht. Megjithatë, gjenerali Major Zaw Min mohoi të ishin bërë tortura nga ushtria dhe hodhi poshtë akuzat nën pretendimin se janë lajme të rreme.