Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dita Ndërkombëtare e Gruas 2022: Histori dhe marshime

QIKA 7.3.2022

Dita Ndërkombëtare e Gruas u ngrit nga lëvizja e punës dhe u bë një ngjarje vjetore e njohur nga Kombet e Bashkuara.

Në vitin 1908, 15,000 gra marshuan nëpër Nju Jork duke kërkuar orar më të shkurtër pune, paga më të mira dhe të drejtën e votës. Një vit më vonë, Partia Socialiste e Amerikës shpalli Ditën e parë Kombëtare të Gruas.

Clara Zetkin, aktiviste komuniste dhe avokate për të drejtat e grave, sugjeroi krijimin e një dite ndërkombëtare. Ajo e vendosi idenë e saj në një Konferencë Ndërkombëtare të Grave Punëtore në Kopenhagë në vitin 1910 – dhe 100 gra nga 17 vende ranë dakord me këtë propozim njëzëri.

Dita Ndërkombëtare e Gruas u festua për herë të parë në vitin 1911, në Austri, Danimarkë, Gjermani dhe Zvicër. Njëqindvjetori u festua në vitin 2011, kështu që këtë vit festohet 111-vjetori i kësaj dite.

Gjërat u zyrtarizuan në vitin 1975 kur Kombet e Bashkuara filluan të festonin këtë ditë. Tema e parë e miratuar (në 1996) ishte “Të festojmë të kaluarën, të planifikojmë për të ardhmen”.

Dita Ndërkombëtare e Gruas është bërë një datë ku shpërfaqen arritjet e grave në shoqëri, politikë dhe ekonomi, ndërsa rrënjët politike të kësaj dite nënkuptojnë organizimin e grevave dhe protestave për të rritur ndërgjegjësimin për pabarazinë e vazhdueshme.

Megjithatë, kjo ditë nuk u zyrtarizua deri kur ndodhi greva në kohën e luftës në 1917, kur gratë ruse kërkuan “bukë dhe paqe”. Katër ditë pas grevës, cari u detyrua të abdikonte dhe qeveria e përkohshme u dha grave të drejtën e votës. Greva filloi më 8 mars dhe kjo u bë data kur festohet Dita Ndërkombëtare e Gruas.

Sipas webfaqes së Ditës Ndërkombëtare të Gruas, ngjyrat që e karakterizojnë këtë datë janë vjollcë, jeshile dhe e bardha. Kështu, ngjyra vjollcë nënkupton drejtësinë dhe dinjitetin, e gjelbërta simbolizon shpresën, ndërsa e bardha përfaqëson pastërtinë, megjithëse ky mbetet një koncept i diskutueshëm. Ngjyrat e kanë origjinën nga Unioni Social dhe Politik i Grave (ËSPU) në Mbretërinë e Bashkuar në 1908.

“Barazia gjinore sot për një të nesërme të qëndrueshme” është tema për vitin 2022 e shpallur nga OKB-ja, me ç’rast fokus do të jenë reagimet e grave ndaj ndryshimeve klimatike. Megjithatë, do të trajtohen edhe tema të tjera. Webfaqja e Ditës Ndërkombëtare të Gruas si temë për këtë vit ka zgjedhur #BreakTheBias, në mënyrë që njerëzit të imagjinojnë një botë pa paragjykime, stereotipe dhe diskriminim.

Disa nga ngjarjet që tregojnë diskriminimin dhe dhunën me bazë gjinore kohëve të fundit:

· Ringjallja e talebanëve në gusht ndryshoi jetën e miliona grave afgane – vajzave u ndalua shkollimi, ministria për çështjet e grave në vend u shpërbë dhe shumë grave iu ndalua rikthimi në punë.

· Në Mbretërinë e Bashkuar, vrasja e Sarah Everard ringjalli debate rreth sigurisë së grave.

· Pandemia COVID-19 vazhdon të ketë ndikim në të drejtat e grave. Sipas Raportit Global të Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror 2021, koha e nevojshme për të mbyllur hendekun global gjinor është rritur nga 99.5 vjet në 135.6 vjet. Një studim i vitit 2021 nga UN Women i bazuar në 13 vende tregoi se pothuajse një në dy gra (45%) raportuan se ato ose një grua që e

njohin kanë përjetuar një formë dhune gjatë pandemisë Covid-19. Kjo përfshin abuzimin jo-fizik, me abuzimin verbal dhe mohimin e burimeve bazë.

· Në Meksikë, grupet e grave e rrëzuan gardhin metalik që ishte ngritur për të mbrojtur Pallatin Kombëtar, në një memorial të improvizuar për viktimat e femicidit.

· Ndërkohë, gratë në Poloni mbajtën protesta në të gjithë vendin pas futjes së një ndalimi pothuajse total të abortit në janar 2021.