Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dje u bë hapja zyrtare e Javës së Krenarisë në Prishtinë

QIKA 10.6.2025

Java e Krenarisë u hap zyrtarisht dje në Prishtinë, ku mblodhi bashkë aktivistë, persona LGBTIQ+, aleatë, vendimmarrës, ambasadorë e përfaqësues ndërkombëtarë në ngjarjen tradicionale të mbajtur në ndërtesën e Qeverisë, që shënoi fillimin e një jave të planifikuar me plot aktivitete.

Gjatë ceremonisë së hapjes u mbajtën fjalime nga Blert Morina, drejtor ekzekutiv i organizatës CEL Kosova, kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ambasadorë të BE-së dhe Suedisë në Kosovë të cilët folën për sfidat, gëzimin dhe rezistencën që përfaqëson kjo javë, raporton Dylberizm.

Në fjalimin e tij përshëndetës, Blert Morina tha se “nuk kemi arritur askund afër atje ku duhet të jemi”.

“Strehimorja nuk ekziston për shkak se shteti ka dështuar t’i mbrojë qytetarët e vet. Sepse martesa mes personave të seksit të njëjtë ende është vetëm një kauzë, e jo një e drejtë. Sepse identiteti gjinor i njohur ligjërisht është përjashtim, jo rregull. Sepse shërbimet për personat trans janë të pakta, të paqasshme, të pamjaftueshme – dhe shpesh, të shoqëruar me turp dhe përçmim. E gjuha e urrejtjes jo vetëm që nuk është zbehur – është bërë më institucionale, më e rafinuar, e më e ligjshme”, tha ndër të tjera Morina.

Kurse kryeministri në detyrë, z. Albin Kurti, e bëri hapjen e Javës së Krenarisë duke mikpritur të pranishmit në qeverinë e Kosovës, “në qeverinë e të gjithë qytetarëve të vendit, pa dallim”. Ndër të tjerash, ai citon nobelistin e shkencave ekonomike Amartya Sen, i cili thekson “Mundësinë për tu shfaqur në publik pa turp”.

Sipas kryeministrit në detyrë ky është një aspekt i domosdoshëm i barazisë mes qytetarëve. “Pikërisht në këtë drejtim mbajtja e Javës së Krenarisë është një traditë kuptimplote e me rëndësi për Kosovën. Kjo javë dhe të gjitha ngjarjet që do të zhvillohen si pjesë e saj e mbështesin fuqishëm parimin që secili prej nesh ka të drejtë të shfaqet në publik ashtu siç është, pa turp, pa siklet dhe pa poshtërim. Pikërisht pse jemi njerëz të ndryshëm, duhet të jemi të barabartë, e nëse duhet, atëherë mundemi”.

Në ditët në vijim, në Prishtinë do të zhvillohen aktivitete të ndryshme, nga ekspozita dhe diskutime publike, deri te performanca artistike dhe parada tradicionale e Krenarisë. Programin e plotë të Javës së Krenarisë në Prishtinë mund ta gjeni këtu.