Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dy aktivistë që mbështetën kampanjën kundër abuzimeve seksuale #MeToo dënohen me burgim në Kinë

QIKA 21.6.2024

Aktivistja dhe gazetarja e njohur Sophia Huang Xueqin është dënuar me pesë vjet burg nga një gjykatë në jug të Kinës pasi u shpall fajtore për ‘nxitje të përmbysjes së pushtetit shtetëror’, ndërsa aktivisti Wang Jianbing u dënua me tre vjet e gjashtë muaj burg pasi u shpall fajtor për të njëjtën akuzë.

Huang Xueqin kishte qenë një nga mbështetëset më të zëshme të kampanjës #MeToo në Kinë, ku raportoheshin histori të abuzimit seksual të grave, dhe vetë ajo kishte folur hapur për mizogjininë dhe seksizmin me të cilin përballej në redaksitë kineze, edhe aktivisti Wang ishte mbështetës i zëshëm i #MeToo si dhe ofronte mbështetje ligjore për njerëzit me aftësi të kufizuara dhe punëtorët me sëmundje të lidhura me industritë e caktuara.

Autoritetet kineze nuk kanë treguar pse të dy u akuzuan për nxitje të përmbysjes, por mbështetësit e tyre thonë se ata u arrestuan sepse organizonin takime dhe forume të rregullta me të rinjtë për të diskutuar çështjet sociale.

Të dy ishin arrestuar në vitin 2021 dhe kishin dal në gjyq para 10 muajsh, por dënimi iu shqiptua vetëm të premten e kaluar, ndërsa sipas Amnesty International policia kishte kontrolluar shtëpitë e tyre, konfiskuar pajisjet elektronike, kishte marrë në pyetje miqtë e tyre dhe disa kalimtarë rasti.

Grupi Free Huang Xueqin dhe Wang Jianbing ngritën dyshimet se gjatë paraburgimit, i cili u zgjati 1000 ditë, ata janë mbajtur në izolim dhe këtë e dëshmoi një hulumtim i BBC Eye në 2022 sipas së cilit të dy mbaheshin në izolim, në vende sekrete të njohura si ‘burgjet e zeza’.

“Këto akuza dashakeqe dhe krejtësisht të pabaza tregojnë se sa e tmerruar është qeveria kineze nga vala e shfaqur e aktivistëve që guxojnë të mbrojnë të drejtat e të tjerëve,” tha drejtorja e Amnesty International në Kinë, Sarah Brooks, duke bërë thirrje për lirimin e menjëhershëm të Huang dhe Wang.

Kujtojmë se Huang nën akuzat se “kërkonte grindje dhe provokonte telashe” poashtu ishte arrestuar edhe në vitin 2019 teksa raportonte për protestat pro-demokracisë në Hong Kong.

Avokuesit për barazi gjinore dhe drejtësi shoqërore në Kinë shpesh janë sulmuar dhe akuzuar si “agjentë të forcave armiqësore perëndimore” nga media shtetërore dhe nacionalistët në internet, dhe kritikët e qeverisë shpesh janë akuzuar për nxitje të përmbysjes së pushtetit shtetëror, raporton BBC News.