Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Dy të tretat e grave në ushtrinë britanike raportojnë për ngacmime dhe abuzime seksuale

QIKA 26.7.2021

Raporti parlamentar tregon se pothuajse dy të tretat e grave në forcat e armatosura britanike kanë përjetuar sulme dhe ngacmime seksuale si dhe janë diskriminuar përgjatë karrierës së tyre. Kështu, 62% e 4106 veteraneve dhe personelit kishin dhënë dëshmi për sjellje të papranueshme ndaj tyre. Disa nga provat tronditëse përfshijnë përdhunimin në grup, seks për ngritje në pozitë apo avancim si dhe sulm ndaj tyre.

Gratë që janë pjesë e ushtrisë britanike pohuan se ndjehen më të pa sigurta në ambientet ushtarake sesa në zonat e luftës. Në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes është realizuar anketa e komitetit e cila është e para e këtij lloji, me ç’rast 1 në 10 gra ka dëshmuar për gjendjen brenda ushtrisë, ndërsa 11% e grave pohuan se kishin përjetuar ngacmim seksual gjatë vitit të fundit krahasuar me më pak se 1% për burrat. Ndër të tjera deputetët kishin pranuar rreth 700 komente në lidhje me sjelljet e seksualizuara dhe ngacmimet.

Sipas të dhënave të qeverisë, në periudhën midis 2015-2020 niveli mesatar i dënimit për përdhunim në gjykata të rregullta ishte afërsisht 34%, krahasuar me 16% për rastet e përdhunimit në gjykatat ushtarake. Nënkryetarja e komitetit për gratë në forcat e armatosura, Sarah Atherton, pohoi se grave po u mohohet drejtësia dhe Britania e Madhe nuk po i mbron ato, raporton The Guardian.

Prej më shumë se 3000 të anketuarve, 84% prej tyre raportuan se gratë përballen me sfida shtesë krahasuar me burrat. Megjithatë 90% prej tyre rekomanduan forcat e armatosura si karrierë.