Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

E djathta ekstreme në Mbretërinë e Bashkuar po promovon dhunën seksuale ndaj grave

QIKA 29.9.2021

Dhuna seksuale po promovohet gjithnjë e më shumë nga e djathta ekstreme britanike. Mizogjinia po përdoret për të shtyrë individët drejt pikëpamjeve raciste dhe anti-semitike. Komentet për përdhunim janë të shpeshta duke promovuar kështu një kulturë që miraton dhunën seksuale.

Sipas raportit të realizuar nga organizatat anti-fashiste Hope not Hate dhe Antisemitism Policy Trust, të dhënat tregojnë se e djathta ekstreme anti-semitike po përdorë internetin për përhapjen e mizogjinisë dhe anti-feminizmit. Hulumtuesit ekzaminuan forume e blogje të ndryshme të udhëhequra nga burrat që konsiderojnë se feminizmi promovon më shumë keqkuptim sesa barazi për gratë.

Të dhënat e raportit pasqyrojnë analizën e 73 kanaleve anti-semitike në gjuhën angleze në Telegram si dhe grupe të bisedave, me ç’rast u siguruan 5,684,738 mesazhe përmbajtja e të cilave ishte mizogjene. Fjalët kyçe të cilat karakterizonin këto mesazhe u zbuluan në më shumë se 85,000 postime, ndërsa vetëm fjala “përdhunim” është përdorur në pothuajse 46,200 postime dhe “përdhunues” në 3,900 të tjera, raporton The Guardian.

Vitin e kaluar organizata Hope not Hate kishte monitoruar sondazhin ku kishin marrë pjesë të rijnë të moshës 16-24 vjeç, me ç’rast kishin vërejtur se pjesëmarrësit konsideronin se feminizmi i lë burrat prapa. Më shumë se një e treta e të rinjve e konsideronin feminizmin si një ideologji e cila dëmton burrat. I njëjti sondazh u realizua edhe për çështjen e anti-semitizmit, ku 14% e gjithë pjesëmarrësve si dhe 19% e burrave konsideronin se hebrenjtë kanë një kontroll mbi sistemin bankar të botës gjë që dëmton interesat e përgjithshme.