Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Ekspozita “Women Take the Floor” vë në pah veprat e harruara të grave artiste

QIKA 19.4.2021

Në historinë e artit, gratë tradicionalisht janë trajtuar si objekte – krijesa të bukura që magjepsin, joshin dhe frymëzojnë. Mirëpo në ekspozitën “Women Take the Floor”, e cila do të zgjatë deri më 28 nëntor, më shumë se 200 vepra arti të punuara nga gratë janë vendosur për t’iu dhënë atyre hapësirën që nuk e kishin në të kaluarën.

“E gjithë çështja është që të njohim emrat e këtyre artisteve që janë aq të merituara sa burrat artistë. Gratë gjatë historisë nuk kanë marrë të njëjtën vëmendje si burrat çoftë në shtyp apo kritikë,” tha Nonie Gadsden, kuratorja e ekspozitës.

Ekspozita është e ndarë në shtatë seksione dhe përfshinë artin e tekstilit dhe fibrave që shënuan ngritje në vitet 1960, punime nga Lenore Tawney dhe Sheila Hicks si dhe punime nga aksionet e viteve 1950 e tutje. Një nga galeritë më mahnitëse të ekspozitës është seksioni i quajtur “Gratë dhe abstraksioni në gjysmëshekull”, i cili gjurmon artiste gra si Carmen Herrera, Olga Lee dhe Maud Morgan. Ky seksion nuk është i kufizuar në pikturë por përfshin edhe qeramikë, orendi dhe printime.

Pasi që kanë kaluar 100 vjet nga fitimi i së drejtës së votës për gratë, kuratorja e ekspozitës po ashtu tha se e drejta e votës së grave na bën të reflektojmë për atë që ka ndryshuar dhe atë që nuk ka ndryshuar, cilat kufizime janë ende të pranishme për gratë artiste dhe cilat liri po fillojnë të eksplorohen nga ato.

“I gjithë arti këtu është politik,” tha Gadsden. “Georgia O’Keeffe gjithmonë thoshte: “Unë nuk merrem me politikë “, por të qenit një artiste e suksesshme në kohën e saj ishte në vete një deklaratë politike. Ajo vetëm me suksesin e saj shtyu përpara një agjendë feministe.”

Ekspozita u realizua sepse u pa se ishte e rëndësishme të viheshin në pah piktoret abstrakte gra, pasi akoma ekziston një rrëfim i artistëve burra si forcë kryesore e lëvizjes.