Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Emërtimi i rrugëve në komunat e Kosovës dëshmon diskriminimin gjinor

QIKA 6.7.2021

Emërtimi i rrugëve në komunat e Kosovës është tregues i diskriminimit gjinor, pasi që më pak se 4% e rrugëve mbajnë emra të grave krahasuar me ato të burrave.

Organizata EC Ma Ndryshe ka konsultuar të dhënat e listës së Agjencisë Kadastrale në Kosovë të cilat tregojnë se në 32 komuna të Kosovës nga 21,508 rrugë, 13,840 kanë emra burrash, gjegjësisht 57.3%, ndërsa vetëm 3.6% apo 707 rrugë kanë emra të grave.

“Sa i përket 7 komunave të mëdha të Kosovës, nga 8,904 emra të rrugëve, 6,072 ose 69,1% mbajnë emra burrash, derisa 373 ose 4.1% kanë emra grash dhe 2,459 ose 26.8% mbajnë emra tjerë. Nga 7 komunat me territor e numër më të madh të rrugëve, vetëm Gjilani (7.7%), Prishtina (5.5%) dhe Peja (4.3%) e tejkalojnë mesataren e Kosovës (3.6%). Nga Komunat me territor e numër më të vogël të rrugëve, vërehet një përqindje më e madhe se mesatarja e Kosovës në komunat: Ranilug (12.1%), Graçanicë (8.3%), Shtërpcë (8.2%), Kaçanik (5.8%), Kllokot (5.6%), Rahovec e Shtime (4.6%) dhe Fushë Kosovë (4.1%)”, thuhet në komunikatën e organizatës EC Ma Ndryshe në Facebook.

Kjo organizatë bën thirrje për autoritetet dhe organet komunale që të respektojnë barazinë gjinore duke e përfshirë atë në çdo vendimmarrje si dhe duke respektuar dispozitat e Ligjit për Barazi Gjinore.

Ky aktivitet u përkrah nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) ‘EJA Kosovë’, u financua nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC) DHE Agjencia Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar (Sida).