Alb Eng
ABOUT QIKA 1≠1
Readings

Mos i injoroni vuajtjet e grave sudaneze

QIKA 17.1.2024

Gratë po mbajnë peshën e luftës së egër në Sudan. Bota nuk duhet t’i mbyllë sytë.

Gratë sudaneze më kanë frymëzuar gjithmonë. Derisa qytetarët sudanezë marshuan në rrugë për të kërkuar dorëheqjen e presidentit Omar Hassan al-Bashir, në vitin 2019, gratë drejtuan fushatën për demokraci dhe ndryshim. 2/3 e protestuesve mendohet se ishin gra, të cilat kanë vuajtur prej kohësh nga margjinalizimi, ngacmimi e dhuna seksuale në Sudan. Si mund të harrohen imazhet e virale të aktivistes adoleshente Alaa Salah duke bërtitur kundër autoriteteve ndërsa qëndronte në një taksi të bardhë? Protestat e organizuara për katër muaj rradhazi i dhanë fund sundimit të presidentit al-Bashir.

Gratë po detyrohen të mbajnë barrën e konfliktit brutal mes Forcave të Mbështetjes së Shpejtë Paraushtarake (RSF) dhe Forcave të Armatosura Sudaneze (SAF) që filloi në mes të prillit. Sipas OKB-së, që nga shpërthimi i konfliktit të fundit, më shumë se 6 milionë njerëz janë zhvendosur, duke përfshirë rreth 105 mijë gra shtatzëna. Nga 1.2 milionë njerëz që kanë ikur në vendet fqinje, pothuajse 9 në 10 janë gra dhe fëmijë. Sistemi shëndetësor i Sudanit është në gjendje të rënduar,  70-80% e spitaleve në zonat e konfliktit janë mbyllur. Kjo ka efekt katastrofik për gratë shtatzëna që kanë nevojë për trajtim mjekësor.

Dhuna me bazë gjinore dhe ajo seksuale kanë marrë përmasa epidemike. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, mbi 4 milionë gra dhe vajza janë të rrezikuara nga dhuna seksuale.

Ekspertët e OKB-së akuzuan të dyja palët për shkelje të së drejtës humanitare dhe të të drejtave të njeriut, veçanërisht ngritën shqetësimin për përdorimin e pamëshirshëm dhe të përhapur të përdhunimit dhe formave të tjera të sulmit seksual nga RSF-ja. Pas disa përdhunimeve të raportuara, ata deklaruan se kjo formë e dhunës dukej të kishte motive racore dhe etnike, dhe ishin jashtëzakonisht të ngjashme me krizën e Darfurit që ndodhi 20  vjet më parë.

Sipas raportimit të Human Rights Watch, nga fundi i prillit deri në fund të qershorit 2023, RSF-ja sulmoi kryeqytetin e Darfurit Perëndimor, el-Geneina, duke kryer një numër marramendës të përdhunimeve dhe krimeve të tjera të luftës.

Iniciativa Strategjike për Gratë në Bririn e Afrikës ka dokumentuar qindra raste kur gratë kanë qenë viktima të RSF, ato ose janë zhdukur me forcë derisa përpiqeshin të largoheshin nga luftimet, janë rrëmbyer për t’u përdorur si shpërblim, ose u rrëmbyen dhe u detyruan të shërbenin si punëtore seksi. “Jam shtatzënë në muajin e katërt”, tha një e mbijetuar 21-vjeçare. “Unë as nuk di të numëroj sa herë jam përdhunuar”, shtoi ajo.

Një raport i OKB-së, denoncoi se në rajonet që kontrollohen nga RSF në Darfur gratë dhe vajzat rrëmbehen dhe trajtohen në mënyrë çnjerëzore e degraduese si të ishin skllave,  detyrohen të martohen dhe mbahen për shpërblim. Poashtu, OKB-ja u informua nga burimet e veta se disa gra dhe vajza janë parë duke u vendosur në makina dhe kamionë derisa kanë qenë të lidhura me zinxhirë .

Leximi i statistikave po bëhet i dhimbshëm.

Jam thellësisht e shqetësuar nga akuzat për fuqitë rajonale që synojnë të përkeqësojnë gjendjen e grave të Sudanit. Veçanërisht, jam shqetësuar nga raportimet se Emiratet e Bashkuara Arabe kanë furnizuar me armë RSF-në. Një analist i shquar i krizës së Sudanit e ka përshkruar mbështetjen materiale të Emirateve të Bashkuara Arabe për RSF-në si “sekreti më i keq i mbajtur tani për tani”. I pyetur nga një gazetar nëse Emiratet e Bashkuara Arabe po furnizojnë me armë RSF-në, ambasadori i ShBA-së në OKB tha: “Ne kemi bërë thirrje që të gjitha vendet që tentojnë të përfshihen në këtë luftë, duhet të ndërpresin këto përpjekje.” Emiratet e Bashkuara Arabe kanë mohuar akuzat. Shpresoj që raportimet të jenë të rreme.

Është thelbësore që të gjithë aktorët rajonalë dhe ndërkombëtarë të luajnë një rol konstruktiv në procesin e paqes në Sudan, veçanërisht në këtë moment kur vëmendja e botës është e përqendruar në kriza të tjera. Ata nuk duhet të anashkalojnë abuzimet e rënda të të drejtave të njeriut në ndjekje të interesave egoiste ekonomike dhe strategjike. Emiratet e Bashkuara Arabe janë krenare për pozitën e saj në botë, të cilën ajo kërkon ta nxjerrë në pah duke pritur Konferencën e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike – COP28, nga 30 nëntori deri më 12 dhjetor në Expo City në Dubai. Por reputacioni i saj global do të meritojë një njollë të zezë nëse nuk arrin të sigurojë një shkëputje të pastër nga çdo lidhje me palët ndërluftuese në Sudan. Emiratet e Bashkuara Arabe kanë për detyrë të heqin dorë dhe të ndërpresin çdo lidhje me forcat kriminale të RSF-së.

Kur m’u dha privilegji të shërbeja si presidente e Liberisë, mora përgjegjësinë për rindërtimin e një kombi gati të shkatërruar nga lufta dhe plaçkitja. Unë personalisht kam qenë dëshmitare se sa vendimtar është fuqizimi i grave për ta sjellë një komb më afër paqes.

Kështu duhet të jetë në Sudan. Le të kontribuojmë të gjithë në këtë përpjekje.

Ellen Johnson Sirleaf

E përktheu: Erblinë Krasniqi

Shkrimin original mund t’a gjeni në: https://www.aljazeera.com/opinions/2023/11/24/do-not-ignore-the-suffering-of-sudanese-women