Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“Ëndrra ime ishte të vishja atë që doja”

QIKA 3.10.2023

Për disa gra muslimane, zgjedhja për të mos mbajtur hixhabin ose shaminë mund të jetë një vendim i vështirë për t’u marrë. Ato mund të përballen me reagime të ashpra nga familjarët ose të përjashtohen nga komuniteti i tyre.

Parlamenti i Iranit sapo ka miratuar një projektligj të diskutueshëm që do të rriste ndjeshëm burgimet dhe gjobat për gratë dhe vajzat që shkelin kodin e rreptë të veshjes. Projektligji i cili ka nevojë për miratimin e mbikëqyrësit kushtetues për t’u bërë ligj, pasoi me protestat e përhapura në Iran në të cilat gratë dolën në rrugë dhe duke hequr hixhabet e tyre.

Protestat u ndezën nga vdekja e Mahsa Amini në paraburgimin e policisë morale një vit më parë. Ajo ishte arrestuar pasi dyshohej se kishte veshur hixhabin e saj shumë lirshëm.

Rreth një miliard e grave muslimane në mbarë botën, zgjedhin vet të veshin hixhabin. Por për ato që dëshirojnë të heqin shaminë e tyre, mund të duhen vite për të kapërcyer presionin dhe për të marrë atë vendim.

“Ëndrra ime ishte të kisha një ditë në javë kur vetëm gratë të dilnin në rrugë dhe ne të vishnim çfarë të donim”, thotë Ribell (jo emri i saj i vërtetë).

Ajo ishte nëntë vjeç kur familja e saj, që jetonte në Teheran, e detyruan të vishte çadorin (një nga llojet më konservatore të hixhabit, çadori, është një mantel i plotë trupor). Që në moshën gjashtë vjeçare, prindërit e saj e kishin përgatitur atë që të fillonte të mbulohej. Kurse, ajo thotë se si fëmijë ëndërronte të vishte pantallona të shkurtra dhe bluza.

“Vazhduan të më thoshin se do të duhej të mbaja hixhabin, se kjo është detyra ime ndaj Zotit, dhe nëse refuzoja, do të ndëshkohesha përjetësisht pas vdekjes sime – për të mos përmendur, se do t’i çoja prindërit e mi në përbuzje dhe mërzitje”, tha ajo për BBC.

Ribell tani është 23 vjeç dhe është larguar nga Teherani për të kërkuar azil në Turqi, ku punon si artiste tatuazhesh.

Ajo kujton se ishte e tmerruar nga ajo që i kishin thënë prindërit. “Unë jetoja me këtë ndjenjë të vazhdueshme faji. Nuk e dija nga vinte, por ishte aty,” thotë ajo.

Ajo i kishte zili vajzat e tjera që shihte në komunitetin e saj, të cilat mbanin një lloj hixhabi më pak konservator. Mbajtja e hixhabit në hapësirat publike në Iran është e detyrueshme për gratë dhe vajzat nga mosha nëntë vjeçare, por në shtëpi dhe në tubime private shumë gra zgjedhin të mos mbulojnë kokën. Familja e Ribellit ishte shumë fetare dhe konservatore.

Kur Ribell ishte 17 vjeç, prindërit e saj e regjistruan atë në një seminar islamik për gratë. Ajo e urrente seminarin dhe kur pa se kurrikula në fakt paragjykonte gratë, asaj iu shkatërrua besimi i saj në hixhab.

Ditën që vendosi të hiqte dorë, ajo veshi një pallto që mbaronte pak sipër gjurit me një shall të lirë, duke treguar copat e flokëve të saj të kuq flakë të sapolyera. Drejtoresha e seminarit thirri prindërit e saj dhe u tha që të mos e lejonin të ecte në rrugë duke u dukur si “prostitutë”, thotë Ribell.

Gjyshja e saj thirri në shtëpinë e tyre duke uruar që prindërit e mi “të më thyenin këmbët që të mos mund të dilja nga shtëpia”. Ribell thotë se nëna e saj i tha asaj se do të dëshironte “Zoti të ma merrte jetën [Ribell] në mënyrë që familja jonë të mos vuante kaq shumë”.

Ndërsa abuzimi vazhdoi, Ribell tentoi të vetëvritej. Ajo u zgjua në spital me të atin që qëndronte afër shtratit, duke i bërtitur asaj. Përfundimisht ajo vendosi se opsioni i saj i vetëm ishte të largohej nga Irani dhe të shkonte në Turqi, ku hixhabet nuk janë të detyrueshme dhe tani ajo mund të jetojë hapur pa një të tillë. Ajo nuk është më në kontakt me familjen e saj.

Historia e Ribellit mund të jetë ekstreme, por nuk është një përvojë e izoluar.

Një grua muslimane që gjeti frymëzim në protestat në Iran është Bella Hassan, një gazetare në Shërbimin Botëror të BBC-së.

Ajo lindi dhe u rrit në Mogadishu, kryeqyteti i Somalisë, dhe kishte mbajtur hixhabin për pjesën më të madhe të jetës së saj. Në vitin 2022, gjatë kulmit të protestave në Iran dhe pasi jetoi në Londër për një vit, ajo vendosi ta heqë atë.

“Kam shumë miq iranianë dhe ata më mbajtën të informuar se si gratë po mbrojnë të drejtën e tyre për të jetuar ashtu siç dëshirojnë dhe kjo me të vërtetë më frymëzoi,” thotë ajo.