Sipas të dhënave të Regjistrimit të Femicidit në periudhën kohore midis viteve 2009 deri në 2018, janë vrarë 272 gra në Mbretërinë e Bashkuar. Vetëm në tri ditët e para të vitit 2012, ishin vrarë nga burrat 8 gra.
Projektligji i abuzimit në familje pritet të marrë miratimin mbretëror për tu bërë ligj, e gjithë kjo pas fushatave të shumta që filluan në 2017. Ky ligj përkufizon më saktë abuzimin, duke specifikuar edhe atë ekonomik si dhe e bën të paligjshme shpërndarjen e fotografive intime pa pëlqim. Megjithatë, ky projektligj nuk do të mund ti mbështesë gratë emigrante të cilat nuk kanë qasje në burimet e fondeve publike.
Në Angli dhe Uells 4.9 milion gra përjetojnë sulm seksual gjatë jetës së tyre. Vajzat nën moshën 25 vjeçare kanë dy herë më shumë gjasa të jenë viktima të dhunës në familje krahasuar me gratë më të moshuara.
Anketa e Krimit për Anglinë dhe Uellsin njeh dhunën ndaj grave dhe vajzave. Ajo mat dhunën në familje, por jo edhe në institucione. Sipas një sondazhi të vitit 2017-2018, të realizuar me 4491 studentë në 153 institucione arsimore rezultoi se 70% e studenteve vajza kishin përjetuar dhunë seksuale, duke u rritur në 73% për studentët që kishin aftësi të kufizuara, ndërsa vetëm 6% kishin raportuar në polici. Të dhënat tregojnë se 8% e grave ishin përdhunuar në mjediset e universitetit. Sipas një raporti të botuar në 2016, u regjistruan 600 përdhunime si dhe 5500 vepra seksuale midis viteve 2012-2015 në shkollat e Mbretërisë së Bashkuar.
Të dhënat e Regjistrimit të Femicidit tregojnë se vajzat e reja të moshës 14-25 janë vrarë dy herë më shumë (14.6%) nga një i huaj krahasuar me gratë më të moshuara (7.59%), vajzat e reja vriten më shumë nga anëtarët e familjes (7.3%), sesa gratë më të moshuara (1.2%).
“Akti i Mbrojtjes nga Përndjekja 2019, do të thotë që policia tani mund të lëshojë urdhër mbrojtje për të kufizuar aktivitetet e ndjekësit. Viktimat pësojnë 100 apo më shumë incidente para se të raportojnë në polici, përgjigja e së cilës vjen me kod postar. Gratë e reja janë më të rrezikuara”, tha Alison Bird, udhëheqëse klinike për përndjekje në Solace Women’s Aid. Aktualisht, në Angli dhe Uells, ka rreth 30 punonjës të tillë si Bird.
Një studim i Alison Bird në vitin 2017-2018, regjistroi 10,241 raste të përndjekjes, prej të cilave vetëm 25% çuan akuzë. Nga 49 forca policore në Mbretërinë e Bashkuar, 17 prej tyre nuk pranuan të siguronin informacion, ndërsa një e treta e policisë nuk ishin në gjendje apo nuk dëshironin të siguronin të dhëna.
Christine Barter, profesoreshë e parandalimit të dhunës ndër-personale në Universitetin e Central Lancashire, ishte pjesë e ekipit hulumtues mbi ndikimin e pornografisë në pesë vende evropiane, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar. Në këtë hulumtim u përfshinë 4564 të rinj të moshës 14-17 vjeç. Kështu, ata gjetën se shikimi i rregullt i pornografive nga djemtë i stimulonte ata për përdorim të dhunës dhe abuzimit seksual.
Hulumtimi tregon se abuzimi emocional i djemve dhe vajzave ishte i zakonshëm. Pothuajse një e treta e vajzave dhe 16% e djemve i ishin nënshtruar një formë të dhunës seksuale, 43% e vajzave dhe pothuajse dy të tretat e djemve nuk i kishin treguar askujt. Dhuna kishte filluar me shuplakë, goditje, duke u përshkallëzuar në 8% të rasteve me grushtime, rrahje me objekte si dhe vrasje.