Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

“FemArt” nis edicionin e 13-të

QIKA 17.6.2025

Festivali ndërkombëtar i artistëve dhe aktivistëve feminist ka filluar edicionin e 13-të, i cili do të mbahet nga data 16 deri më 21 qershor 2025. Edicioni “Çliroje Mendjen” flet për çlirimin e mendjes si guxim e jo si arratisje.

Edicioni i sivjetmë ka nisur dje me një hapje të veçantë, në koncertin e Shkodrës Elektronike në Prishtinë, dhe do të vazhdoj që përmes aktiviteteve të ndryshme të qendërzojë jo vetëm artin e aktivizimin, por edhe shëndetin mendor.

“Të çlirosh mendjen është të shohësh qartë. Të zhveshësh frikën. Të dëgjosh veten përtej zhurmës së botës. Është përballje me demonët që kanë zënë qoshet e mendjes dhe shpirtit tonë. Heshtjet rëndojnë më shumë se zinxhirët. Plagët bëhen gurë, e gurët mure. E çlirimi është guximi e forca për të rrënuar këto mure. Mendja është fushë betejë. Është strehë. Është altar i të vërtetës sonë. Në FemArt, ne zgjedhim të mos luftojmë me veten, por ta njohim atë. Ta shërojmë, e ta lëmë të vallëzojë. Kur mendja çlirohet, trupi e ndjek. Jeta merr frymë, e arti bëhet pishtar i çlirimit” shkruajnë organizatorët e festivalit.

Për gjashtë ditë me radhë, FemArt zotohet të bëhet hapësirë e çlirimit për të krijuar, përkujdesur, dashuruar, e për t’u shëruar me guxim të palëkundur.

Programin për këtë vit e gjeni këtu.