Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Feministet në Argjentinë përballen me kërcënime dhe sulme të vazhdueshme

QIKA 23.1.2024

Gazetaret gra, sidomos ato që shkruajnë për çështjet gjinore, dhe aktivistet feministe në Argjentinë po përballen me kërcënime e sulme të vazhdueshme nga mbështetësit e presidentit të sapo zgjedhur.

Derisa Argjentina u bë shteti më i madh i Amerikës Latine që legalizoi abortin në vitin 2020,  presidenti aktual Javier Milei, një libertarian i ekstremit të djathtë, po bën fushatë për të shfuqizuar ligjin duke thënë se do të thërras edhe referendum nëse është e nevojshme.

Baza e elektoratit të Mileit përbëhet kryesisht nga burra të rinj të papunë, 16-29 vjeçar, raporton The Guardian. Giselle Leclercq tha se Milei ka prekur një pjesë të popullsisë që është shumë e zemëruar me përparimin e të drejtave gjinore.

“Të gjitha feministet janë nën sulm”, tha Claudia Piñeiro, teksa tregon se merr qindra kërcënime dhe mesazhe abuzive sa herë që kontrollon llogaritë e saj në rrjetet sociale. Disa prej tyre po vazhdojnë të luftojnë, disa janë dorëzuar dhe një gazetare është detyruar që të largohet nga vendi për sigurinë e saj. “Ne po përballemi me një gjueti shtrigash nga e djathta ekstreme,” tha autorja, gazetarja dhe aktivistja Luciana Peker, e cila së fundmi u largua nga Argjentina për shkak të kërcënimeve të shumta.