Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) janë nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025. Nominimi i Rushitit dhe QKRMT-së është bërë nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson. Lajmi është bërë i ditur nga vetë Rushiti, e cila është edhe themeluese dhe drejtore ekzekutive e QKRMT-së, përmes një postimi në Facebook, raporton Kallxo.com.
Rushiti ka publikuar edhe propozimin për nominim të bërë nga deputeti suedez Jacobsson.“Jam thellësisht e lumtur dhe e nderuar se unë dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) jemi nominuar për Çmimin Nobel për Paqe 2025. Ky vendim për nominim, i propozuar nga deputeti i Parlamentit Suedez, z. Magnus Jacobsson, më mbush me emocione të papërshkrueshme dhe mirënjohje të thellë. Një falënderim i përzemërt shkon për z. Jacobsson për besimin e tij në misionin tonë dhe për amplifikimin e zërave të atyre që shpesh nuk dëgjohen”- ka shkruar ajo.
Nominimin për Çmimin Nobel, Rushiti e konsideron si një arritje të madhe jo vetëm për të, por edhe për ekipin, siç ka thënë ajo të jashtëzakonshëm të QKRMT-së dhe mbi të gjitha për të mbijetuarit.
“Ky moment i veçantë, na frymëzon të vazhdojmë përpjekjet tona kolektive, duke avokuar globalisht dhe ndarë praktikat e mira të Kosovës, për të trajtuar këtë plagë të rëndë dhe për të kontribuar në parandalimin e dhunës seksuale në konflikt, si dhe në arritjen e drejtësisë për të mbijetuarit”- ka potencuar Rushiti.
Rushiti ka falënderuar gjithë mbështetësit e punës së QKRMT-së, duke konsideruar se ky moment u takon të gjithë me besimin për një botë më të drejtë dhe paqësore.