Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

FIFA pezullon presidentin e Federatës së Futbollit të Spanjës, Luis Rubiales pasi puthi me forcë fituesen e Kupës së Botës për gra

QIKA 28.8.2023

Presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales ka puthur me forcë fituesen e Kupës së Botës për gra, Jenni Hermoso. Ky akt ka shkaktuar bujë të madhe, ku edhe organi qeverisës botëror FIFA vendosi të pezullonte Rubiales.

FIFA deklaroi se po pezullonte Rubiales nga “të gjitha aktivitetet e lidhura me futbollin në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar” për 90 ditë, teksa procedurat disiplinore zhvillohen. Rubiales thotë se puthja ishte konsensuale dhe ka refuzuar të japë dorëheqjen për incidentin, pavarësisht kritikave të ashpra nga Hermoso, koleget e saj të skuadrës dhe qeveria spanjolle.

Hermoso tha se puthja ishte dhënë pa pëlqimin e saj dhe se ajo me gjithë ekipin fitues të Kupës së Botës refuzojnë të luajnë përderisa Rubiales mban pozitën e presidentit.

“Nuk më pëlqeu fare ky incident. U ndjeva e pambrojtur dhe si viktimë e një akti të shtyrë nga impulsi seksist, pa asnjë grimë pëlqim nga ana ime”, shkroi Hermoso në një deklaratë në Twitter.

Federata Mbretërore e Futbollit Spanjoll (RFEF) ka mbrojtur Rubiales, duke kërcënuar që do ndërmarrë veprime ligjore kundër Hermoso dhe të tjerëve prapa saj.

Njëmbëdhjetë anëtarë të programit kombëtar spanjoll të futbollit për gra njoftuan bashkërisht dorëheqjen e tyre të shtunën. Dorëheqjet përfshinin shumicën e stafit stërvitor të ekipit kombëtar të grave. Në deklaratën e tyre, grupi përmendi disa arsye që çuan në vendimin e tyre për t’u larguar dhe shprehen se “ e dënojnë thellësisht” sjelljen e Rubiales.

Edhe pse Rubiales deklaroi se bëri një gabim, Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, tha se kërkim falja nuk ishte “e mjaftueshme” dhe se qeveria ka nisur një proces që ta largonte nga posti Rubiales.

Hermoso dhe ekipi kanë parë gjithashtu mbështetje të gjerë nga e gjithë bota e futbollit, duke përfshirë edhe ekipin e grave të Anglisë, të cilin Spanja e mundi në finale.