Aktorja dhe regjisorja nga Kosova, Luana Bajrami, e cila me filmat e saj ka përfaqësuar Kosovën në festivale të shumta do të jetë pjesë e edicionit të 98-të të çmimeve Oscar, pasi filmi në të cilin luan, “Deux personnes échangeant de la salive”, është nominuar në kategorinë e filmave të shkurtër.
“Two People Exchanging Saliva” është në mesin e pesë filmave të shkurtër të nominuar për “Academy Awards”. Ky film është bashkëprodhimin midis Francës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me titull origjinal “Deux personnes échangeant de la salive”, ku Bajrami luan rolin e Malaises. Është rol qendror në filmin bardhezi, me skenar dhe regji të dyshes Alexandre Singh dhe Natalie Musteata.
“Këtë nder të jashtëzakonshëm ua dedikojmë njerëzve të guximshëm të Iranit. Zemrat tona janë me të gjithë ata”, është shkruar në ueb-faqen e filmit, menjëherë pas lajmit për nominim për çmimin Oscar.
Shpallja e nominimeve për trofeun më të madh është gjithmonë moment i rëndësishëm për kinematografinë botërore, dhe këtë vit gjatë nominimeve të së enjtës filmi “Sinners” ka thyer rekordin për numrin më të madh të nominimeve në historinë e çmimeve me gjithsej 16 nominime për Oscar, raporton Associated Press.
Luana Bajrami nëpërmjet filmave të saj si “Luaneshat e Kodrës” ajo e çoi Kosovën në festivalet më me nam sikurse Festivali i Filmit në Cannes më 2021. Në Festivalin e Filmit në Venecie, Bajrami shkoi si aktore në “Heppening” të Audrey Diwan që mori “Luanin e Artë” më 2021 e aty u rikthye një vit më pas me filmin e saj “Bota jonë” një rrëfim për realitetet e ashpra të jetës në Kosovën e pasluftës dhe dëshirën e zjarrtë të të rinjve për t’i kapërcyer ato vështirësi.