Më datë 17 dhjetor, Parlamenti Evropian votoi në mbështetje të rezolutës My Voice, My Choice, për të krijuar një fond të BE-së për të mbështetur qasjen në abort të sigurt dhe të ligjshëm në të gjithë Evropën.
Propozimi u miratua me 358 vota pro, 202 kundër dhe 79 abstenime, pas muajsh organizimi nga aktivistët dhe mbi një milion nënshkrime, raporton Politico.
Komisioni Evropian tani ka kohë deri në mars të vitit 2026 për t’iu përgjigjur kërkesës.
“Kjo votë është një fitore e madhe për çdo grua në Evropë. BE-ja më në fund ka treguar se kujdesi shëndetësor seksual dhe riprodhues është një e drejtë themelore e njeriut. Kjo nismë tregon se çfarë ndodh kur qytetarët dhe institucionet bashkojnë forcat. Ky është thelbi i demokracisë”, tha Abir Al-Sahlani nga Renew.
Përpara votimit, shumë eurodeputetë liberalë dhe të majtë kishin frikë se shumica e djathtë do të arrinte ta rrëzonte rezolutën dhe ta zëvendësonte me një version tjetër. Megjithatë, grupi më i madh në Parlament, Partia Popullore Evropiane (EPP), u nda, me 71 eurodeputetë që votuan pro dhe 68 kundër, duke i hapur rrugë miratimit të rezolutës në formën e saj origjinale.
Nika Kovač, koordinatore e My Voice, My Choice, tha se “rezultati ishte krejtësisht i papritur, sepse për një moment dukej sikur konservatorët dhe e djathta ekstreme kishin arritur një marrëveshje. Ata përpiqen të na bindin se jemi të ndarë, kur në të vërtetë jemi një komunitet i bashkuar”.
Ligjet mbi abortin janë të ndryshme në Evropë, duke filluar nga ndalimet pothuajse të plota në Poloni dhe Maltë, deri te rregulloret më liberale në Holandë dhe Mbretërinë e Bashkuar. Ky fond mund të transformojë jetën e mijëra grave evropiane që çdo vit udhëtojnë në një vend tjetër të BE-së për të pasur qasje në abort të sigurt.