Narges Mohammadi, fituesja e Çmimit Nobel për Paqe 2023, u ndalua nga forcat iraniane të sigurisë gjatë një ceremonie përkujtimore për Khosro Alikordin, një avokat i të drejtave të njeriut cili u gjet i vdekur në zyrën e tij në Mashhad javën e kaluar.
Një anëtar i ekipit të Mohammadit tha se “Arrestimi i saj sot duket se lidhet drejtpërdrejt me deklaratat e saj publike në Mashhad pas vdekjes së dyshimtë të Khosro Alikordit. Në ceremoninë përkujtimore të tij, aktivistë të të drejtave të njeriut u mblodhën për të protestuar kundër asaj që e shohin si një vrasje të dyshimtë dhe potencialisht të lidhur me shtetin”.
“Alikordi ishte një figurë e njohur në komunitetin e mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Iran. Gjatë viteve të fundit, ai ishte arrestuar, ngacmuar dhe kërcënuar vazhdimisht nga forcat e sigurisë dhe ato gjyqësore”, tha qendra për të drejtat e njeriut në Iran me seli në Nju Jork.
Anëtarë të familjes së Mohammadit thanë se forcat e sigurisë dhe policia përdorën gaz lotsjellës dhe dhunë për të shpërndarë njerëzit e mbledhur për përkujtimin e Alikordit, raporton the Guardian.
Hasan Hosseini, guvernatori i qytetit të Mashhadit, tha se prokurorët kishin urdhëruar forcat e sigurisë të ndalonin përkohësisht disa pjesëmarrës në ceremoni për shkak të thirrjeve “që shkelin normat”, raportoi televizioni shtetëror iranian.
“Shëndeti i saj mund të përkeqësohet shumë shpejt në këto kushte”, tha bashkëshorti i Mohammadit, Taghi Rahmani. “Represioni brenda xhamisë sot u krye me brutalitet ekstrem. U përdor gaz lotsjellës dhe Narges, bashkë me aktivistë të tjerë, u rrahën edhe pse kanë probleme serioze shëndetësore”.
Chirinne Ardakani, avokatja e Mohammadit me bazë në Paris, tha “Po bëj thirrje për lirimin e menjëhershëm të klientes sime, si dhe të të gjithë aktivistëve të të drejtave të njeriut që janë arrestuar bashkë me të. Po ashtu, ritheksoj kërkesën e klientes sime që të vendoset e vërteta dhe drejtësia lidhur me rrethanat e dyshimta të vdekjes së Alikordit, për të cilat kemi arsye të besojmë se shteti mban përgjegjësi”.
Para lirimit të saj në dhjetor të vitit të kaluar, Mohammadi kishte qenë e burgosur që nga nëntori i vitit 2021 për dënime që lidhen me fushatën e saj kundër dënimit me vdekje dhe detyrimit të grave në Iran për të mbajtur hixhab.