Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Franca e bën abortin të drejtë kushtetuese

QIKA 5.3.2024

Franca është bërë shteti i parë në botë që e ka vendosur të drejtën e abortit në kushtetutën e saj. Me 780 vota pro dhe 72 kundër, deputetët francezë  votuan për ndryshimin kushtetues që mbron të drejtën e lirisë së garantuar të grave për të abortuar.

Para votimit, kryeministri Gabriel Attal tha në parlament se e drejta e abortit mbetet e rrezikuar dhe në mëshirën e vendimmarrësve. “Ne po u dërgojmë një mesazh të gjitha grave: trupi juaj ju përket juve dhe askush nuk mund të vendosë për ju”, tha ai.

Aktivistët për të drejtat e abortit ishin mbledhur në qendër të Parisit ku festuan e duartrokitën kur rezultatet e votimit u shpallën në një ekran gjigand teksa Kulla Eifel shkëlqente në mesazhin ‘My Body My Choice’.

“Kam shumë emocione, edhe si aktiviste feministe, edhe si grua”, tha Laura Slimani nga Fondation des Femmes.

E drejta e abortit në Francë rregullohet me ligj që nga viti 1974 dhe sipas sondazheve rreth 80% e francezëve e mbështesin abortin e ligjshëm dhe të sigurtë, raporton Reuters.

Vendimi u kundërshtua nga politikanët e krahut të djathtë të cilët e akuzuan presidentin francez Macron se po e përdorte të drejtën e abortit për të fituar pikë politike, për shkak të mbështetjes së madhe nga njerëzit.

Kundërshtime pati edhe nga Shoqata e Familjeve Katolike. “Kjo është humbje për gratë dhe për të gjithë fëmijët që nuk mund ta shohin ditën”, tha presidentja e kësaj shoqate Pascale Moriniere.

Vatikani poashtu përsëriti kundërshtimin kundër të drejtës së abortit. “Nuk mund të ketë të drejtë për të marrë një jetë njerëzore,” tha institucioni i Vatikanit, teksa u bëri thirrje të gjitha qeverive dhe traditave fetare që mbrojtjen e jetës ta bëjnë prioritet absolut.