Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Franca miraton ligjin që përfshin pëlqimin në përkufizimin e përdhunimit

QIKA 3.11.2025

Të mërkurën, Parlamenti i Francës me 327 vota pro dhe 15 abstenime miratoi përfundimisht një ndryshim ligjor i cili e përcakton përdhunimin si çdo akt seksual pa pëlqim.

Deri më tani, përdhunimi apo abuzimi seksual në Francë ishte përcaktuar si “çdo formë penetrimi seksual i kryer përmes dhunës, detyrimit, kërcënimit ose në befasi”.

Ky ndryshim tejet i rëndësishëm është rezultat i një debati shumëvjeçar ndërpartiak, i cili u riaktualizua nga rasti i Gisèle Pelicot, gruas të cilën bashkëshorti i saj e drogoi dhe e përdhunuan në mënyrë të përsëritur dhjetra burra, rast në të cilin 51 persona janë dënuar tashmë.

Mbrojtja e shumë të akuzuarve ishte bazuar në argumentin se ata nuk mund të shpalleshin fajtorë për përdhunim, pasi nuk ishin të vetëdijshëm që Pelicot nuk ishte në gjendje të jepte pëlqimin e saj, shkruan BBC.

Por projektligji i ri e bën këtë argument të pavlefshëm, duke sqaruar se pëlqimi duhet të jetë “i lirë dhe i informuar, specifik, paraprak dhe të mund të tërhiqet në çdo moment”. Ligji gjithashtu thekson se pëlqimi duhet të vlerësohet sipas rrethanave dhe nuk mund të nënkuptohet nga heshtja apo mosreagimi.

Dy deputetët që hartuan ndryshimin ligjor, Marie-Charlotte Garin dhe Véronique Riotton e cilësuan këtë ndryshim si “fitore historike dhe një hap të madh përpara në luftën kundër dhunës seksuale”.

Disa kritikë kanë argumentuar se ky ndryshim ligjor mund të kthejë marrëdhëniet seksuale në “kontrata ligjore” ose se mund të vështirësojë dëshmimin e mungesës së pëlqimit nga viktimat. Megjithatë, Këshilli i Shtetit (Conseil d’État), i njohur si gjykata më e lartë administrative e Francës, e mbështeti ndryshimin në muajin mars, duke theksuar se ai shpreh qartë se sulmet seksuale cenojnë parimin themelor të lirisë personale dhe seksuale të çdo individi.

Me përfshirjen e pëlqimit në përkufizimin ligjor të sulmit seksual dhe përdhunimit Franca ndjek shembullin e Danimarkës, Finlandës, Spanjës, Greqisë dhe vendeve të tjera evropiane që kanë përditësuar legjislacionin e tyre për të theksuar se autonomia është në qendër të marrëdhënieve seksuale.