Shërbimi Kombëtar i Parqeve në SHBA ka hequr thuajse të gjitha përmendjet për personat biseksualë nga uebfaqja zyrtare e Monumentit Kombëtar të Stonewall-it — një ndryshim i bërë në heshtje, pas fshirjes së mëparshme të fjalëve “transgjinor” dhe “queer” në fillim të këtij viti.
Në muajin shkurt, faqja zyrtare ndryshoi gjuhën nga LGBTQ+ në “lezbike, gej dhe biseksualë”, duke hequr kategoritë “transgjinor” dhe “queer”. Por në fund të muajit maj, edhe fjala “biseksual” pothuajse u zhduk plotësisht nga teksti — duke kaluar nga tetë përmendje në vetëm dy.
Këto redaktime janë pjesë e zbatimit të Urdhrit Ekzekutiv 14168, të nënshkruar nga Donald Trump në janar të vitit 2025, i cili e detyron administratën federale të promovojë një koncept të ngushtë dhe binar të gjinisë, duke ndaluar përmendjen e “ideologjisë gjinore” në hapësirat publike, raporton Them.us.
Aktivistët LGBTQ+ dhe historianët kanë reaguar fuqishëm kundër këtij akti të fshirjes historike. “Personat biseksualë kanë qenë prezentë, aktivë dhe të zëshëm gjatë kryengritjes së Stonewall-it. Heqja e tyre është një shtrembërim i së vërtetës sonë historike”, deklaroi nisma Stonewall Inn Gives Back.
Monumenti Kombëtar i Stonewall-it u shpall në vitin 2016 për të nderuar kryengritjen e vitit 1969, të udhëhequr nga persona queer, trans dhe me gjini jokonformuese — shumë prej të cilëve ishin të zinj ose latinë dhe përballeshin me shtypje të shumëfishtë. Këto redaktime e rrezikojnë rëndë kompleksitetin dhe të vërtetën e asaj historie.