Federata Shqiptare e Volejbollit (FSHV) ka pezulluar përkohësisht volejbollisten braziliane të Dinamos, Nayara Ferreira, pas disa ankesave që janë paraqitur lidhur me dyshimet për seksin e saj biologjik nga ekipet e tjera.
Klubi i volejbollit Dinamo derisa vendimin e ka cilësuar si absurd dhe cënues për dinjitetin e Ferreira-s, ka njoftuar se nga FSHV i është kërkuar që ajo të kryejë “analiza për verifikim të gjinisë”.
Mediat në Shqipëri kanë raportuar se FSHV ka kërkuar teste të thelluara mjekësore, “për të parë nëse mund të ketë pasur më herët ndonjë ndryshim gjinie”.
Vetë Ferreira është shprehur se ndihet e diskriminuar dhe e lënduar nga dyshimet e ngritura dhe vendimi i Federatës. Ajo ka një karrierë ndërkombëtare prej 15 vitesh në klube të ndryshme ndërkombëtare në vende si Brazili, Spanja, Çekia e Arabia Saudite, ndërkaq këtë sezonë luan për herë të parë në Shqipëri. Verifikimi gjinor nuk i ishte kërkuar asnjëherë në vendet ku ka luajtur më parë.