Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gazetarja e Al Jazeera vritet gjatë raportimit

QIKA 11.5.2022

Të mërkurën gazetarja palestinezo-amerikane e Al Jazeera, Shireen Abu Akleh, u qëllua për vdekje teksa po raportonte për një operacion ushtarak izraelit në qytetin Jenin të Bregut Perëndimor.

Ministria palestineze e shëndetësisë tha se ajo u qëllua me plumb në kokë. Producenti i Akleh, Ali Al-Samudi, gjithashtu u qëllua por është në një gjendje stabile, raporton CNN.

Rrethanat rreth vdekjes së Akleh janë ende të paqarta. Al Jazeera ka akuzuar forcat izraelite të sigurisë për shënjestrimin dhe vrasjen e qëllimshme dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar që të dënojë dhe të mbajë përgjegjës Izraelin.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit thanë se forcat e saj të sigurisë ishin duke operuar në zonë për të arrestuar të dyshuar për aktivitete terroriste dhe të dyshuarit palestinezë dhe forcat izraelite po qëllonin në atë kohë. Mirëpo Al-Samudi tha më vonë të mërkurën se nuk kishte palestinezë të armatosur në zonë në atë kohë.

Ministri i Jashtëm izraelit, Yair Lapid tha në Twitter se qeveria e tij kishte ofruar të kryente një hetim të përbashkët izraelito-palestinez. “Gazetarët duhet të mbrohen në zonat e konfliktit dhe ne të gjithë kemi përgjegjësi për të arritur tek e vërteta”, shtoi ai.

Homazhet filluan të vërshojnë për Abu Akleh teksa lajmi për vdekjen e saj u përhap gjithandej. Sipas Universitetit Bir Zeit, Abu Akleh u lind dhe u rrit në Jerusalem dhe i përkiste një familjeje të krishterë.