Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjërat që duhet t’i dini për menopauzën dhe terapinë hormonale

QIKA 2.2.2023

Ka kohë që ekziston një trajtim efektiv, i aprovuar nga F.D.A. për disa simptoma të menopauzës, por shumë pak gra janë të njoftuara me rreziqet dhe përfitimet e këtij trajtimi.

Terapia është e njohur si terapi hormonale e menopauzës. Kjo terapi ka treguar se lehtëson ngritjen e temperaturës së trupit dhe ndërprerjen e gjumit, ndërsa disa dëshmi tjera tregojnë se ndihmon me depresionin dhe dhimbjet e kyçeve. Gjithashtu ndihmon në parandalimin dhe trajtimin e sindromit gjenitourinar të menopauzës, duke përfshirë infeksionet e traktit urinar dhe dhimbjet gjatë seksit, që prekin pothuajse gjysmën e grave në postmenopauzë. Trajtimi poashtu zvogëlon rrezikun e diabetit dhe mbron nga osteoporoza.

Mosha në të cilën një grua fillon terapinë hormonale është e rëndësishme për vlerësimin e rrezikut në rritjen e sëmundjeve të zemrës, goditjes në tru dhe demencës.

Për gratë që kalojnë menopauzën e hershme, para moshës 45 vjeç, rekomandohet terapi hormonale, sepse ato janë në rrezik më të madh për osteoporozë nëse nuk marrin hormone deri në moshën tipike të menopauzës. Për gratë e shëndetshme në të 50-at, rreziqet e rritura nga terapia hormonale konsiderohen të ulëta. Ka rreziqe më të mëdha për gratë që fillojnë terapinë hormonale pas moshës 60 vjeç. Asnjë hulumtim ende nuk ka përcjellur gratë që fillojnë të përjetojnë menopauzën në të 50-at dhe vazhdojnë gradualisht deri në të 60-at.

Terapia hormonale dikur ishte trajtimi më i zakonshëm i përshkruar në Shtetet e Bashkuara, por në vitin 2002, një studim i madh ngriti shqetësime serioze për rreziqet e saj shëndetësore, duke bërë që shumë mjekë dhe pacientë ta braktisnin atë. Analizat e reja të të dhënave nga ai studim, i njohur si Iniciativa për Shëndetin e Grave, së bashku me shumë të tjera, kanë siguruar që rreziqet e terapisë hormonale janë të ulëta për gratë e shëndetshme nën 60 vjeç.