Gjykata e Apelit ia ka hequr 12 vjet burgim dhe i ka shqiptuar 3 vjet e 6 muaj burg ish-mësimdhënësit Valentin Selmanaj, i cili në shkallë të parë ishte dënuar me 15 vjet e 6 muaj burg për veprën penale “sulm seksual” ndaj një të miture dhe “kanosje” ndaj dëshmitarit.
Sipas Dosjes së Prokurorisë, Selmanaj e kishte puthur pa pëlqim një nxënëse, derisa një dëshmitar e pati incizuar nga dera jashtë klasës.
Apeli ka ndryshuar, përpos lartësisë së dënimit, edhe cilësimin juridik të veprës penale. Pas ricilësimit të veprës penale, Apeli ka ardhur me këtë Vendim mbi lartësinë e dënimit.
“Gjykata e Apelit – Departamenti për të Mitur ka aprovuar Ankesën e mbrojtësit së të akuzuarit V.S., si dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare ka ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë – Departamenti për të Mitur, PKR.Nr.76/2023, më 11.04.2024 dhe atë përkitazi me përshkrimin faktik të Dispozitivit, cilësimin juridik të veprës penale dhe Vendimit për dënimin për Pikën I të Dispozitivit të Aktgjykimit të ankimuar, ashtu që pas ricilësimit të veprës penale i ka shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej tri (3) vjet e gjashtë (6) muaj – dënim i cili do të ekzekutohet pas plotfuqishmërisë së këtij Aktgjykimi, e në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak, prej datës 12.06.2023 e tutje.” – thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Apelit të transmetuar nga Kallxo.com.
Gjykata e Pejës e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 15 vjet e 6 muaj burgim ish-mësimdhënësin Valentin Selmanajn, i akuzuar për dy vepra penale “sulm seksual ndaj një nxënëseje të mitur” dhe “kanosje ndaj personit/dëshmitarit”, i cili e kishte incizuar veprimin.
Përveç dënimit me burgim si dënim unik, për këto dy vepra atij si dënim plotësues i ishte shqiptuar edhe masa e ndalimit të ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje të përjetshme.
Me rastin e shpalljes së këtij dënimi prej 15 vjetësh e 6 muaj si dënim unik, Gjykata pati marrë parasysh edhe përgjegjësinë e tij si mësues.