Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata e Apelit konfirmon se stomatologu sulmoi seksualisht pacienten 15 vjeçare

QIKA 13.1.2025

Gjykata e Apelit ka nxjerrë aktgjykim lidhur me rastin ku akuzohet stomatologu Xhavit Muqiqi, duke e konfirmuar sërish fajësinë e tij për abuzimin seksual të pacientes 15 vjeçare gjatë kohës sa po shërbente si stomatolog në ordinancën e tij. Xhavit Muqiqi për herë të tretë ishte gjetur fajtor në vitin 2023 nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe ishte dënuar me një 1 vit burgim.

Në aktgjykimin e Apelit për këtë rast thuhet se gjykata e gjykon të akuzuarin me një vit burgim, por dënimi i shqiptuar nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër tjetër penale në periudhën kohore prej dy viteve, transmeton Gazeta Sinjali.

Ndërsa, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë i datës 27 shkurt 2023, është ndryshuar sa i përket cilësimit juridik të veprës penale, ashtu që kjo gjykatë, veprimet e të akuzuarit i cilëson si vepër penale sulmi seksual.

Ky rast është hetuar për 13 vite radhazi.

Stomatologu kishte abuzuar seksualisht me të miturën pasi kjo e fundit kishte shkuar të marrë tretman mjekësor, në mesditën e 21 janarit të vitit 2012, në ordinancën e tij. Muqiqi akuzohet se pasi ia kishte dhënë anestezionin të miturës kishte filluar ta përkëdhelë, ta puthë dhe e kishte urdhëruar të ulet në prehrin e tij.

“Xhavit Muqiq në cilësinë e mjekut – stomatolog ia kishte dhënë anestezionin, i njëjti kishte filluar me pyetje jo të zakonshme si janë : “Çka, është më e rëndësishme për jetën e saj dhe çka do të thotë fjala intuitë dhe njëkohësisht kishte filluar ta ledhatonte në pjesën e qafës, e kishte puthur të njëjtën në gojë, ku e dëmtuara ka filluar të largohet nga i pandehuri por i njëjti i kishte thënë “se është i besueshëm dhe për çdo problem do t’i ndihmoj edhe për anën financiare”, pastaj i njëjti është ngritur në këmbë duke e ulur të dëmtuarën dy herë në prehrin e tij”, thuhet në aktakuzë.

E mitura kishte tentuar të largohej nga doktori, mirëpo ai pa pëlqimin e saj kishte filluar ta përqafojë. “…pas përpjekjeve largohet nga i pandehurit dhe nga i njëjti ka kërkuar ta dijë se a ka përfunduar intervenimin e dhëmbit ku në dalje nga ordinanca përsëri i njëjti pa pëlqimin e saj ka filluar ta përqafonte duke e shtrënguar për kraharori me ç’rast tek e dëmtuara e mitur ka shkaktuar shqetësim”.