Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin për burgim të përjetshëm ndaj Dardan Krivaqës

QIKA 20.2.2025

Gjykata e Apelit ka njoftuar se e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë që dënoi Dardan Krivaqën me bugim të përjetshëm, për vrasjen mizore të Marigona Osmanit, si dhe me 15 vjet dënim për Arbër Sejdiun, i dënuar për veprën “ndihmë në kryerje të vrasjes së rëndë”.

Më 26 shtator 2024, shkalla e parë e gjyqësorit shqiptoi dënimet ndaj dy të akuzuarve. Për këtë aktgjykim në Gjykatën e Apelit kishin dërguar ankesa Prokuroria Themelore e Ferizajt, përfaqësuesit e të dëmtuarve dhe mbrojtësve të akuzuarve, por Apeli tha më 19 shkurt 2025 se ato ishin të pabaza.

“Gjykata e Apelit e Kosovës, i ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, të përfaqësuesit të të dëmtuarve M.O. dhe V.O. dhe të mbrojtësve të të akuzuarve D.K. dhe A.S., duke e vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda, me nr. 2021:186679, të datës 26.09.2024”, thuhet në aktgjykim.

Apeli tha se nuk gjeti shkelje të dispozitave të procedurës penale, në mënyrë që të anulohet aktgjykimi. Po ashtu, në njoftim u tha se janë analizuar të gjitha provat e përdorura në gjykim dhe Apeli i ka vlerësuar si “të drejta, objektive dhe të ligjshme”.

Po ashtu, Apeli tha se nuk ka gjetur shkelje të ligjit sa i përket lartësisë së dënimit të shqiptuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt.

“Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me vërtetimin e gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, kolegji gjykues konstaton se gjykata e shkallës së parë e ka vërtetuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë gjendjen faktike, për shkak se me provat e administruara gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar se të akuzuarit D.K. dhe A.S., kanë kryer veprat penale të lartcekura, për të cilat janë shpallur fajtorë”, u tha në njoftimin e Gjykatës së Apelit.