Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata e Lartë e Namibisë rrëzon ligjin që ndalonte homoseksualitetin

QIKA 24.6.2024

Gjykata e Lartë e Namibisë ka shfuqizuar ligjin që kriminalizonte marrëdhëniet seksuale mes seksit të njëjtë, e cila rezulton me një fitore për personat LGBTIQ+.

Në vendim të gjykatës thuhet se ligjet përbënin diskriminim të padrejtë sipas kushtetutës së Namibisë, duke vënë në dukje se e njëjta sjellje seksuale nuk kriminalizohej nëse ishte midis një burri dhe një gruaje.

“Çfarë kërcënimi paraqet një homoseksual për shoqërinë dhe kush duhet të mbrohet nga ai?” thuhej në aktgjykim. “Ne jemi të mendimit se zbatimi i pikëpamjeve morale private për një pjesë të caktuar komunitarë që nuk i përkasin shumicës, duke u bazuar veç në paragjykime, nuk mund të kualifikohen si legjitime,” thuhet më tutje në vendim të gjykatës.

Në vitin 1990, Namibia kishtë trashëguar ligjin që ndalonte “sodominë” dhe “veprat jonatyrore” kur fitoi pavarësinë nga Afrika e Jugut në vitin 1990, ligj i cili konsiderohej që kontribuonte në diskriminimin e mëtejshëm të personave LGBTIQ+, përfshirë këtu edhe dhunën nga policia, raporton The Guardian.

Friedel Dausab, një aktivist namibian LGBTQ+, tha: “Ndjehem i entuziazmuar. Jam shumë i lumtur. Kjo është me të vërtetë një vendim historik, jo vetëm për mua, por për demokracinë tonë”.

UNAids, agjencia e OKB-së që avokon për veprime globale për HIV dhe AIDS, tha se ligji kishte nxitur diskriminimin ndaj personave LGBTQ+ në institucionet shëndetësore në Namibi dhe se shfuqizimi do të inkurajonte më shumë njerëz të bëjnë teste dhe të marrin trajtim për HIV.

“Duke dekriminalizuar marrëdhëniet mes seksit të njëjtë, Namibia krijon një mjedis më të sigurt për komunitetet LGBTQ+”, tha Anne Githuku-Shongëe, drejtorja rajonale e UNAids për Afrikën lindore dhe jugore.

Në një sondazh pan-afrikan të 34 vendeve, i kryer midis viteve 2019 dhe 2021, Namibia renditej si vendi i tretë më tolerant ndaj personave LGBTQ+.

Megjithatë, në mars të vitit 2023, Gjykata e Lartë kishte rrëzuar vendimin e një gjykate më të ulët e cila kishte vendosur për t’u dhënë shtetësi fëmijëve të një çifti homoseksual të lindur jashtë vendit. Më pas, në maj të po atij viti, ajo njohu martesat e të njëjtit seks të kryera jashtë vendit midis shtetasve namibianë dhe bashkëshortëve të huaj.

Si përgjigje, parlamenti i vendit miratoi një projektligj që e përkufizonte martesën si “midis personave të seksit të kundërt”. Megjithatë, që nga miratimi i këtij projektligji krimet e urrejtjes u rritën, me gjashtë namibianë LGBTQ+ të vrarë.