Gjykata e Lartë e Lahorit pohoi se praktika ishte poshtëruese dhe hidhte dyshime mbi viktimat e jo mbi të akuzuarit.
Një gjykatë në qytetin verior të Lahorit në Pakistan ka hequr të ashtuquajturat teste të virgjërisë, të cilave gratë u nënshtrohen në raste të sulmeve seksuale, duke krijuar një precedent që praktika mund të konsiderohet e jashtëligjshme në të gjithë vendin.
Praktika është e ndaluar në shtetin fqinj Afganistanin, në Indi dhe Bangladesh, ndërsa vazhdon të zhvillohet në Pakistan dhe në shumë vende të tjera ku konsiderohet si një matës virtyti dhe nëse një grua është e besueshme.
Mbështetësit e kësaj praktike thonë se nëse dy gishta mund të futen lehtësisht në vaginë kjo tregon se një grua nuk është e virgjër, dhe kështu asaj i mungon autoriteti moral për të bërë një akuzë për sulm apo përdhunim.
Një grup grash të cilat nisen peticionin argumentuan se ekzaminimi nëse himeni ishte i paprekur nuk kishte asnjë ndikim shkencor ose ligjor në rastet e dhunës seksuale, dhe ishte shkelje e të drejtave kushtetuese të privatësisë dhe dinjitetit, raporton The New York Times.
“Është një praktikë poshtëruese, e cila përdoret për të hedhur dyshime mbi viktimën, në vend se të fokusohemi tek i akuzuari” ka shkruajtur gjykatësja Ayesha A. Malik.
Vendimi u mirëprit menjëherë në të gjithë Pakistanin, pa kritika të profilit të lartë publik, duke sugjeruar se ka një mbështetje gjithëpërfshirëse.
Aktivistët e të drejtave të grave e konsideruan këtë vendim një hap të domosdoshëm drejt përmirësimit të procesit hetimor dhe gjyqësor për viktimat e dhunës seksuale në një vend ku dënimet për përdhunim janë të rralla.
“Shpresojmë që gjykimi të zbatohet nga të gjitha autoritetet qeveritare në të gjithë vendin për të siguruar që praktika të tilla të paligjshme të ndalohen menjëherë” tha Farieha Aziz, që ishte një nga nënshkrueset e peticionit si dhe aktiviste e të drejtave me seli në Karachi.
Shireen Mazari, ministrja e të drejtave të njeriut në qeverinë e Kryeministrit Imran Khan, ka shkruajtur në Twitter se vendimi ishte një “gjykim historik” kundër një praktike “poshtëruese dhe absurde”.
Sameer Khosa, avokat që përfaqëson ata që nënshkruan peticionin, tha se vendimi i gjykatës mund të hapë rrugë për një ndalim të një prove të tillë diku tjetër në Pakistan.
“Gjithashtu do ti jap fund dëmtimit të karakterit dhe poshtërimit të viktimave të përdhunimit dhe sulmit seksual në procedurat gjyqësore” tha Khosa.
Në një raport të vitit 2018 Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Kombet e Bashkuara nxitën shtetet të ndalojnë praktikën që “përforcon normat socio-kulturore që përjetësojnë pabarazinë e grave, duke përfshirë pikëpamjet paragjykuese të moralit dhe seksualitetit femëror dhe që shërben për të ushtruar kontroll mbi gratë dhe vajzat”.
Organizata Botërore e Shëndetësisë argumenton se kjo praktikë vazhdon ende në të paktën 20 vende të tjera, ku përdoret jo vetëm në raste kriminale të dhunës seksuale, por edhe para martesës, madje në Indonezi përdoret për të vlerësuar të drejtën e punësimit.