Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e profesorit Xhevat Krasniqit për hudhje të aktakuzës për ngacmim seksual të disa studenteve të Universitetit të Prishtinës.
Krasniqi në seancën e parë, të mbajtur më 1 korrik 2025 ishte deklaruar i pafajshëm, pas leximit të aktakuzës për ngacmim seksual. Pas kësaj, mbrojtësi i të akuzuarit ka bërë kërkesë për hedhje të aktakuzës por që Gjykata e Prishtinës, ja ka refuzuar kërkesën që aktakuza të rrëzohet.
Sipas aktakuzës së ngritur më 11 prill 2025 ngacmimet seksuale nga Krasniqi pretendohet se kanë ndodhur nga janari i vitit 2022 deri në dhjetor të vitit 2023, në objektin e Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës.
Prokuroria pretendon se profesori Krasniqi është përfshirë në sjellje joetike – verbale të natyrës së ngacmimit seksual, me qëllim të cenimit të dinjitetit të personit tjetër.
Prokuroria ka vënë në pah edhe pozitën që i akuzuari ka pasur si profesor universitar, duke pasur pozitën e autoritetit mbi të dëmtuarat.
Kujtojmë po ashtu, se Xhevat Krasniqi ishte pezulluar nga puna për gjashtë muaj, më 23 prill 2024, nga ish-rektori i UP-së Qerim Qerimi.
Pasi kaluan gjashtë muaj rektori i ri i UP-së Arben Hajrullahu mori vendim, më 23 tetor 2024, që t’ia vazhdojë pezullimin Krasniqit deri në përfundimin e hetimeve nga Prokuroria. Edhe pas përfundimit të hetimeve dhe ngritjes së aktakuzës Universiteti i Prishtinës nuk ka marrë kurrfarë vendimi lidhur me profesorin Krasniqi.