Pas një beteje ligjore e cila ka zgjatur afro katër vite, Gjykata Supreme e Nepalit ka vendosur në favor të heqjes së taksave mbi pecetat menstruale. Vendimi u mor pas shqyrtimit gjyqësor të padisë së ngritur nga dy studentë të drejtësisë, Shreena Nepal dhe Abhyuday Bhetwal, të cilët argumentuan se pecetat higjienike duhet të trajtohen si produkte esenciale dhe jo si produkte luksi.
Nepal dhe Bhetwal, studentë në Shkollën e Drejtësisë në Kathmandu, dorëzuan padinë më 10 gusht 2021. Gjatë seancës së parë më 12 gusht, gjykata u pati kërkuar të siguronin përgjigje me shkrim nga katër ministritë përkatëse: Ministria e Financave, Ministria e Grave, Fëmijëve dhe të Moshuarve, Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Shëndetësisë dhe Popullsisë, raporton The Kathmandu Post.
Kishor Bartaula, drejtor në Departamentin e Doganave, sqaroi se aktualisht pecetat e importuara taksohen prej 18% deri 5% taksë doganore dhe 13% TVSH. E njëjta normë aplikohet edhe për importin e lëndëve të para për prodhimin vendor.
Sipas Dol Raj Adhikari, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve të Pecetave dhe Pelenave në Nepal, ky vendim do të ndihmojë në uljen e çmimeve, promovimin e prodhimit të brendshëm dhe potencialisht edhe eksportin. “Me këtë vendim, pecetat higjienike do të jenë 18% më të lira. Për shembull, një paketë që më parë kushtonte 60 rupis, tani do të kushtojë rreth 50,” tha ai, duke shtuar se ende nuk është e qartë nëse heqja e taksës vlen edhe për produktet e importuara.
Vendimi u mirëprit nga aktivistet për të drejta të grave sepse në Nepal, veçanërisht në zonat rurale, shumë gra dhe vajza përballen me sfida për shkak të mungesës së vetëdijes, çmimeve të larta dhe stigmatizimit shoqëror rreth menstruacioneve.
Aktivistët në mbarë botën, përfshirë edhe në Kosovë kanë kërkuar prej vitesh nga qeveritë e tyre që të heqin tatimin mbi vlerën e shtuar dhe taksat doganore me qëllim që të luftohet varfëria menstruale.
Disa vende në botë kanë bërë hapa drejt kësaj çështjeje. India hoqi taksën 12% mbi produktet menstruale në korrik 2018, Maldivet e ndoqën këtë shembull në dhjetor, ndërsa Kolumbia i shpalli taksat e tilla antikushtetuese. Në vitin 2020, Skocia miratoi një ligj që siguron shpërndarjen falas të produkteve menstruale për këdo që ka nevojë.