Të hënën, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara hodhi poshtë kërkesën e një ish-zyrtareje të qarkut Rowan për të rrëzuar vendimin historik të vitit 2015, i cili legalizoi martesat mes personave të të njëjtit seks në mbarë vendin.
Gjykata e cila aktualisht ka shumicë konseravatore në raportin 6 me 3 anëtarë, refuzoi apelimin e ish-zyrtares Kim Davis, e cila ishte paditur nga një çift gej pasi kishte refuzuar të lëshonte çfarëdo certifikate të martesës sipas vendimit të vitit 2015 që njohu të drejtën kushtetuese për martesë mes personave të të njëjtit seks. Davis kishte deklaruar se martesa e të njëjtës gjini bie ndesh me besimet e saj fetare si e krishterë apostolike.
Davis apeloi pasi gjykatat më të ulëta hodhën poshtë pretendimin e saj se e drejta kushtetuese për ushtrimin e lirë të fesë, e garantuar nga Amendamenti i Parë i Kushtetutës së SHBA-ve, e mbron nga përgjegjësia në këtë rast. Davis u urdhërua të paguajë mbi 360,000 dollarë dëmshpërblim dhe shpenzime ligjore për shkeljen e të drejtës së çiftit të të njëjtit seks për t’u martuar.
Vendimi i vitit 2015, i njohur si rasti Obergefell vs. Hodges, përfaqëson një fitore historike për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ në Shtetet e Bashkuara. Ai shpalli se garancitë kushtetuese për proces të rregullt ligjor dhe mbrojtje të barabartë para ligjit nënkuptojnë se shtetet nuk mund të ndalojnë martesat mes personave të të njëjtit seks.
“Refuzimi i Gjykatës Supreme për ta shqyrtuar çështjen konfirmon atë që tashmë e dinim: çiftet e së njëjtës gjini kanë të drejtë kushtetuese për t’u martuar, dhe refuzimi i Kim Davis për të lëshuar certifikata martese në kundërshtim me vendimin Obergefell ka shkelur qartazi këtë të drejtë,” tha William Powell, avokati që përfaqëson paditësit.
“Kjo është fitore për çiftet e së njëjtës gjini kudo, të cilat kanë ndërtuar familjet dhe jetët e tyre mbi të drejtën për t’u martuar,” shtoi Powell.
Mat Staver, themelues i grupit ligjor konservator të krishterë Liberty Counsel, që përfaqëson Davis, e quajti vendimin e së hënës për të mos e pranuar rastin “zemërthyes”, por u zotua se do të vazhdojë përpjekjet për ta rrëzuar rastin Obergefell.
Vendimi Obergefell ishte marrë me votim 5 me 4, ku gjyqtari konservator tashmë në pension Anthony Kennedy iu pati bashkuar katër gjyqtarëve liberalë. Kennedy pati thënë në vendim se shpresa e personave gej që synojnë të martohen është “të mos dënohen të jetojnë në vetmi, të përjashtuar nga një prej institucioneve më të vjetra të qytetërimit. Ata kërkojnë dinjitet të barabartë në sytë e ligjit. Kushtetuta ua garanton atyre këtë të drejtë.”
Rrëzimi i vendimit Obergefell do t’u lejonte që shtetet sërish të miratonin ligje kundër martesave të njëjtit seks.
Katër gjyqtarë konservatorë ishin në kundërshtim me vendimin Obergefell, prej të cilëve tre ende shërbejnë në Gjykatën Supreme – Clarence Thomas, John Roberts dhe Samuel Alito. Blloku konservator i gjykatës përfshin gjithashtu tre gjyqtarë të emëruar nga ish-presidenti republikan Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë.
Administrata e Trump nuk ndërhyri në çështjen e Davis ndërsa Gjykata Supreme po shqyrtonte nëse do ta merrte rastin për shqyrtim dhe gjyqtarët e kësaj gjykate qëndruan larg këtij rasti të ndjeshëm për rreth tre vjet e gjysmë pasi shumica konservatore e tyre rrëzoi të drejtën kushtetuese për abort, shkruan Reuters.
Siç kujtojmë, në vitin 2022, Gjykata Supreme rrëzoi vendimin historik të vitit 1973, Roe vs. Wade, i cili kishte njohur të drejtën kushtetuese të grave për abort dhe e kishte legalizuar atë në nivel kombëtar. Ky vendim atëbotë rriti shpresat e shumë konservatorëve dhe republikanëve që kundërshtojnë Obergefell-in, se gjykata mund të shqyrtojë edhe mundësinë e rrëzimit të vendimit për martesat e të njëjtit seks.