Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata Supreme e ShBA-së mbështet qasjen në pilulën e abortit mifepristone

QIKA 20.6.2024

Të enjten, Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara duke shfuqizuar vendimin e një gjykate më të ulët, ka refuzuar kërkesën për të kufizuar qasjen në ilaçin mifepristone, i cili përdoret në më shumë se gjysmën e aborteve në vend.

Administrata e Ushqimit dhe Barnave kishte ndërmarrë hapa në 2016 dhe 2021 për të lehtësuar mënyrën se si përshkruhet dhe shpërndahet pilula, dhe sipas një studimi të fundit pilula përdoret në më shumë se 60 % të aborteve në SHBA, raporton Al Jazeera.

Këtë vendim gjykata e mori pasi vendosi që paditësit që qëndronin prapa padisë që kundërshtonte qasjen në mifepristone nuk kishin statusin e nevojshëm ligjor për të ndjekur çështjen, e cila kërkonte që ata të dëshmonin se ishin dëmtuar në ndonjë mënyrë nga ky ilaç.

Presidenti Joe Biden përshëndeti vendimin dhe theksoi se vendimi nuk ndryshon faktin që e drejta e grave për të marrë trajtimin që u nevojitet mbetet e rrezikuar nëse jo e pamundur në shumë shtete. “Por le të jemi të qartë: sulmet ndaj ilaçeve të abortit janë pjesë e agjendës ekstreme dhe të rrezikshme të zyrtarëve republikanë për të ndaluar abortin në mbarë vendin”, tha Biden.

Aborti është një çështje e spikatur politike në ShBA. Për dekada, kufizimi i abortit ka qenë objektiv kryesor për grupet fetare dhe ato politike konservatore. Liberalët, të cilët kundërshtojnë kufizimet e qeverisë për abortin, argumentojnë se procedura është pjesë e kujdesit shëndetësor, zgjedhjeve personale dhe autonomisë trupore të një gruaje dhe sidomos gjatë dy viteve të fundit kanë vënë theks të veçantë mbi të drejtat e abortit dhe lirinë riprodhuese.

Tre gjykatës konservatorë të Gjykatës Supreme, të cilët ishin emëruar nga ish-Presidenti Donald Trump, në vitin 2022 përmbysën vendimin Roe v Wade, duke revokuar kështu garancinë e së drejtës së abortit në nivel federal dhe duke u dhënë mundësinë dhjetra shteteve që udhëhiqen nga republikanët të vendosin ndalime e kufizime të rënda për qasjen në këtë procedurë.