Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata Supreme në SHBA do të shqyrtojë ndalimin e kujdesit shëndetësor për të miturit transgjinorë

QIKA 26.6.2024

Gjykata Supreme e SHBA-ve vendosi të hënën të shqyrtojë një ligj të mbështetur nga republikanët në Tennessee që ndalon kujdesin dhe trajtimet mjekësore, si hormonet dhe operacionet, për adoleshentët transgjinorë.

Mbështetësit e komunitetit LGBTIQ+ argumentojnë se ky ndalim shkel mbrojtjen e barabartë sipas Amendamentit të 14-të sepse diskriminon në bazë të seksit dhe identitetit gjinor dhe nënvlerëson të drejtat themelore të prindërve për të marrë vendime mjekësore për fëmijët e tyre, raporton The Guardian.

Në vitet e fundit, shtetet e udhëhequra nga republikanët kanë miratuar masa të shumta kufizuese që synojnë kujdesin shëndetësor për të rinjtë transgjinorë me disfori gjinore, si  ndalimin e medikamenteve dhe ndërhyrjeve kirurgjike. Gjithashtu, punonjësëve të kujdesit shëndetësor në Tennessee iu ndalohet të administrojnë bllokues dhe hormone të pubertetit tek të rinjtë transgjinorë.

Mbështetësit e kufizimeve ligjore argumentojnë se trajtimet janë eksperimentale dhe potencialisht të dëmshme. Në anën tjetër, shoqatat mjekësore theksojnë se disforia gjinore është e lidhur me përqindjet më të larta të vetëvrasjeve dhe pohojnë se ky kujdes mund të jetë jetik.

Dy djem dhe një vajzë transgjinorë bashkë me prindërit e tyre, ngritën padi në Tennessee për të mbrojtur trajtimet mjekësore që ata thonë se kanë përmirësuar lumturinë dhe mirëqenien e tyre.

Administrata e Biden-it kundërshtoi ligjin në këtë shtet dhe i kërkoi Gjykatës Supreme të adresojë ndalimet shtetërore për trajtimet mjekësore për adoleshentët transgjinorë, duke argumentuar se këto ndalime shkaktojnë dëm të konsiderueshëm.

Ligji ishte pjesë e një përpjekjeje të gjerë të republikanëve në nivel shtetëror për të kufizuar të drejtat e personave LGBTIQ+. Këto përpjekje kanë përfshirë ndalimin e diskutimit të identitetit gjinor në shkolla, kufizime në shfaqjet drag dhe politika që parandalojnë individët transgjinorë të marrin pjesë në sport.

Gjatë dekadës së fundit, Gjykata Supreme ka trajtuar disa raste që përfshijnë të drejtat e personave LGBTIQ+. Në vitin 2015, ajo legalizoi martesat e të njëjtit seks në SHBA, kurse në vitin 2020, ajo zgjeroi mbrojtjen nga diskriminimi në vendin e punës për të përfshirë punonjësit homoseksualë dhe transgjinorë.