Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gjykata turke mbështet vendimin e presidentit për daljen nga Konventa e Stambollit

QIKA 21.7.2022

Të martën një gjykatë e lartë administrative në Turqi vendosi se vendimi i presidentit Rexhep Tajip Erdogan për të tërhequr vendin nga një traktat kyç evropian që mbron gratë nga dhuna ishte i ligjshëm, duke hedhur poshtë peticionet që kërkonin anulimin e tij, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve.

Erdogan e tërhoqi Turqinë nga Konventa e Stambollit të Këshillit të Evropës vitin e kaluar, duke shkaktuar reagime nga grupet e të drejtave të grave dhe vendet perëndimore. Konventa historike u nënshkrua në Stamboll në vitin 2011.

Disa grupe grash dhe organizata të tjera i kishin bërë peticion Këshillit të Shtetit, duke argumentuar se lëvizja e Erdoganit për t’u tërhequr nga traktati përmes një dekreti presidencial ishte i paligjshëm. Gjyqtarët e gjykatës, megjithatë, vendosën me vendim të shumicës për të refuzuar peticionet, raporton Anadolu Agency.

Yilmaz Tunc, një anëtar i partisë në pushtet, përshëndeti vendimin e gjykatës, duke thënë se ai do t’i jepte fund “diskutimeve që nuk kanë bazë ligjore”. Udhëheqësi kryesor i partisë opozitare, Kemal Kilicdaroglu, u zotua të kthejë Turqinë në konventë brenda një jave apo edhe 24 orësh nëse partia e tij e qendrës së majtë vjen në pushtet në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

Sipas grupit We Will Stop Femicide, të paktën 226 gra janë vrarë në Turqi deri më tani në vitin 2022, dhe 425 vitin e kaluar.