Mbi 600,000 vajza dhe gra që jetojnë në Evropë, kryesisht nga Afrika dhe Azia, i janë nënshtruar procesit të gjymtimit gjenital femëror (FGM). Në mbarë botën, kjo shifër arrin rreth 230 milionë.
Në një konferencë të organizuar nga Parlamenti Evropian javën e kaluar është diskutuar për mënyrat e mundshme të parandalimit të kësaj forme të dhunës seksuale, raporton Euronews.
“Është gabim të thuhet se gjymtimi gjenital femëror nuk praktikohet në Evropë” tha Valerie Lolomari, themeluese e Women of Grace UK. “Njerëzit i nënshtrohen procedurës para se të dalin nga vendet e tyre, ose detyrohen të kthehen prapë për ta kryer të njëjtën. Disa familje madje importojnë prerëse nga vendi i tyre për ti sjellë në Evropë. FGM mund të ndodh kudo dhe kjo praktikë duhet të çrrënjoset”, tha ndër tjerash ajo.
Pavarësisht progresit të bërë në thyerjen e tabusë dhe inkurajimin e njerëzve për të folur, ka ende shumë për të bërë sepse kjo lidhet kryesisht me ndryshimin e qëndrimeve të njerëzve dhe luftimin e besëtytnive dhe besimeve të dëmshme.
Ajo çka ka funksionuar më së miri deri tani sipas ekspertit të shëndetit publik, Comfort Momoh, është lëvizjet burimore nga vet të mbijetuarat.
“Ndoshta jo të gjithë, jo çdo vajzë e di konkretisht se çfarë nuk shkon në lidhje me këtë praktikë, por shumë prej tyre, nëse jo të gjitha, nuk duan që kjo procedurë t’u bëhet atyre,” tha për Jasmina El Shouraky, ambasadore për Italinë e Youth in Action (Y-ACT).
Duke pasur parasysh shkallën e çështjes, eurodeputetja italiane Cristina Guarda po bën thirrje për një rritje të ndërgjegjësimit për FGM në Evropë, veçanërisht në mesin e stafit të arsimit dhe të kujdesit shëndetësor.
“Është absolutisht e nevojshme të trajnohet personeli mjekësor, sepse në dhomat e urgjencës së spitaleve, në kujdesin e përditshëm nga specialistët, është e nevojshme të dallohen shenjat e dhunës dhe të raportohen. Dhe për këtë arsye të menaxhoni më mirë sigurinë e tyre shëndetësore, por edhe sigurinë, qetësinë dhe mirëqenien e tyre psikologjike”, tha Cristina Guarda, eurodeputete (Green/EFA).
Kujtojmë se vitin e kaluar, Bashkimi Evropian miratoi një direktivë për dhunën ndaj grave që obligon shtetet anëtare të përfshijnë FGM-në si vepër penale specifike në kodet e tyre penale dhe OKB-ja po bën thirrje për eliminimin total të FGM deri në vitin 2030.