Në ditën Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobisë, Interfobisë dhe Transfobisë, muret e qyteteve në Gjilan, Malishevë dhe Prizren sot u mbushen me mbishkrime të cilat e zhvendosin nga margjinat ekzistencën e personave LGBTI nëpër hapësirat publike të këtyre qyteteve.
Aktivistet dhe aktivistët e komunitetit në deklaratën e tyre për media thanë se “Përmes ilustrimeve dhe mbishkrimeve në mure, aktivistet/ët u mobilizuan me qëllim të rritjes së ndërgjegjësimit publik për pranim dhe respektim të ekzistencës së personave LGBTI dhe afirmim të të drejtave të tyre. E drejta për të ekzistuar të lirë/a nga dhuna, nga frika, kërcënimet, vrasja dhe e drejta për të dashur në mënyrë të lirë u theksuan nga çdo anë”.
Sipas tyre mesazhet si “Burrat nuk i dojnë veç gratë. Burrat i dojnë edhe burrat” dhe “Gratë nuk i dojnë veç burrat. Gratë i dojnë edhe gratë”, tentojnë të theksojnë që orientimet seksuale janë çështje individuale dhe nuk janë vetëm heteroseksuale dhe si të tilla, ato mbrohen e garantohen me të gjitha të drejtat e njeriut dhe duhet pranuar nga shoqëria jonë.
“Përmes shkrimeve “sex≠gjini”, kumtohet edhe një herë se seksi biologjik me të cilin lindim, jo domosdoshmërisht duhet të përkojë me gjininë në të cilën zgjedhim të identifikohemi dhe që zgjedhja e gjinisë është çështje individuale. Këto mbishkrime u vendosën në kuadër të Ditës Ndërkombëtare kundër Homofobisë, Bifobise, Interfobise dhe Transfobisë në shenjë të njohjes dhe vlerësimit të secilës e secilit person të komunitetit dhe luftës së tyre të vazhdueshme për liri dhe drejtësi”, thuhet në deklaratën e tyre.