Alb Eng
Për QIKA 1≠1
Lajme

Gratë afgane po vdesin rrugës ose brenda në spitale

QIKA 15.1.2024

Gjendja shëndetësore e grave afgane po përkeqësohet çdo ditë e më shumë. Në Afganistan nuk është e pazakontë që tri gra të ndajnë një shtrat spitalor apo që disa foshnje të lindura para kohe të ndajnë të njëjtin inkubator. Kjo ndodh si në kryeqytet ashtu edhe në të gjithë vendin.

Derisa numri i shtatzënive dhe lindjeve po rritet, raportohet se një numër i madh i grave po vdesin nga komplikimet e shtatzënisë në pamundësi të marrjes së ndihmës mjekësore adekuate për shkak se u duhet të udhëtojnë me orë apo ditë të tëra.

Afganistani mbetet një nga vendet me normat më të larta të vdekjeve të grave shtatzëna në botë. Shumë nga këto vdekje shpesh mbeten të paregjistruara, raporton Ms. Magazine.

“Shëndeti i grave nuk duhet të politizohet,” tha Dr. Najmussama Shefajo, kryetare e Shoqatës Afgane të Obstetërve dhe Gjinekologëve.

Megjithatë, ekspertët thanë se nuk është vetëm mungesa e shtretërve spitalorë apo inkubatorëve që dëmtojnë mirëqenien e grave, por edhe një gamë e gjerë faktorësh ekonomik, social dhe politik. Nën udhëheqjen e talibanëve, vendi ka rënë në aparteid gjinor, shkruan në raportin e tij të fundit Richard Bennett, raportuesi i OKB-së për të drejtat e njeriut në Afganistan.